“The Wanted”/ Dy persona të kërkuar ndërkombëtarisht arrestohen në Tiranë dhe Rinas, akuzohen për drogë dhe falsifikim

Aktualitet | 1 orë më parë

Dy persona të kërkuar ndërkombëtarisht janë arrestuar në Tiranë dhe Rinas, njëri për pjesëmarrje në grup kriminal dhe trafikim të lëndëve narkotike, ndërsa tjetri për falsifikim të kartëmonedhave. Të dy janë ndaluar me qëllim ekstradimi, për llogari të autoriteteve të drejtësisë në Itali dhe Kosovë.

Blutë kanë arrestuar me qëllim ekstradimi në Itali shtetasin E. D., 47 vjeç, lindur në Kavajë. Sipas autoriteteve italiane, Gjykata e Bolonjës ka lëshuar në maj të vitit 2026 një urdhër arresti ndaj tij për pjesëmarrje në bashkëpunim kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Policia shqiptare bën me dije se 47-vjeçari dyshohet se gjatë vitit 2020, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka organizuar dhe kryer blerjen, transportimin, importimin, magazinimin dhe mbajtjen e sasive të mëdha të lëndëve narkotike, përfshirë marijuanë, hashash dhe kokainë, të trafikuara drejt Italisë me qëllim shitjen.

Ndërkohë, në Rinas është arrestuar me qëllim ekstradimi në Kosovë shtetasi kosovar H. K., 38 vjeç. Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Apelit e Pejës në vitin 2022 me 1 vit e 6 muaj burgim për falsifikim të kartëmonedhave. Sipas autoriteteve të Kosovës, H. K., në bashkëpunim me persona të tjerë, ka tentuar gjatë vitit 2021 të hedhë në qarkullim në Pejë rreth 15 mijë dollarë të falsifikuar.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me autoritetet homologe në Romë dhe Kosovë për përfundimin e procedurave ligjore dhe ekstradimin e dy shtetasve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme