Mashtruan 64-vjeçarin për 100 mijë euro, arrestohen dy të rinj në Tiranë

Aktualitet | 2 orë më parë

Dy të rinj janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se tentuan t’i merrnin 100 mijë euro një 64-vjeçari, duke e mashtruar përmes një profili të rremë në rrjetet sociale. Në kuadër të operacionit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Operacionale”, vunë në pranga shtetasit E. K., 24 vjeç dhe O. B., 23 vjeç.

Sipas Policisë, dy të rinjtë u kapën në momentin kur po merrnin shumën prej 100 mijë eurosh nga 64-vjeçari, pas kallëzimit të këtij të fundit për dyshime mbi një rast mashtrimi në një platformë komunikimi online.

Hetimet zbuluan se autorët e dyshuar kishin komunikuar me 64-vjeçarin përmes një profili të rremë në një rrjet social. Profili, sipas Policisë, ishte aktivizuar duke përdorur të dhënat e një personi të njohur të viktimës, me qëllim krijimin e besimit dhe më pas mashtrimin e tij për t’i marrë shumën e konsiderueshme të parave.

Operacioni u zhvillua pas veprimeve të menjëhershme hetimore dhe përdorimit të metodave speciale, me qëllim dokumentimin e rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë. Policia bën me dije se hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në skemën e dyshuar të mashtrimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme