Fier/ Rreziku nga flakët në Topojë, ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve neutralizon vatrën pranë zonës së banuar
Një sipërfaqe kullotore është përfshirë nga flakët gjatë pasdites në fshatin Topojë të Bashkisë së Fierit. Zjarri, i favorizuar nga era, është përhapur me shpejtësi në terren, duke vënë në rrezik të menjëhershëm edhe një banesë të pabanueshme në afërsi të vatrës.
Shërbimet zjarrfikëse ndërhynë në kohë, duke bërë të mundur neutralizimin e flakëve dhe shmangien e rrezikut për banesën, si dhe duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të vatrës në zonën përreth.
Ngjarja ka shkaktuar momente paniku mes banorëve të zones. Duke parë afrimin e rrezikut, ata iu bashkuan aksionit në terren, duke ndihmuar shërbimet zjarrfikëse në përpjekjet për shuarjen e flakëve dhe vënien e situatës nën kontroll.
“Flakët e favorizuara nga era janë përhapur me shpejtësi duke rrezikuar një banesë të pabanueshme,” raportoi gazetarja e RTSH-24, duke theksuar se “shërbimet zjarrfikëse kanë bërë të mundur neutralizimin në kohë të flakëve duke shmangur rrezikun dhe nga banesa.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



