Protestë në Burimas për burimin e ujit, banorët bllokojnë punimet për herë të dytë

Aktualitet | 2 orë më parë

Për të dytën herë, banorët e Burimasit në Maliq kanë protestuar kundër projektit që parashikon marrjen e ujit nga burimi i fshatit. Ata kanë penguar hyrjen e makinerive të Ujësjellës-Kanalizimeve të Korçës, duke kërkuar që ndërhyrja të mos cenojë furnizimin me ujë të banorëve.

Protesta ka vijuar përpara makinerive, ndërsa situata është shoqëruar edhe me përplasje mes banorëve dhe policisë.

Banorët kundërshtojnë përdorimin e burimit për furnizimin e fshatrave të tjera, duke ngritur shqetësime për sasinë e ujit që do të mbetet për Burimasin.

Nga ana tjetër, Ujësjellës-Kanalizimet e Korçës argumentojnë se ndërhyrja është pjesë e një projekti rajonal dhe nuk do të ndikojë në furnizimin e Burimasit.

“Depoja e fshatit Burimas me volum 200 m³ është projektuar që të furnizojë fshatin Burimas dhe fshatin Orman. Fshati Orman u zgjodh nga një investim që u bë rreth pesë vite më parë nga Ministria e Infrastrukturës dhe, për momentin, ky volum uji që ishte projektuar për Ormanin është menduar të furnizojë fshatin Zvez”, tha përfaqësuesi i Ujësjellësit.

Për shkak të kundërshtimit të banorëve, punimet nuk kanë nisur. Projekti mbetet i bllokuar në Burimas, ndërsa banorët dhe Ujësjellës-Kanalizimet vijojnë të kenë qëndrime të ndryshme për ndërhyrjen.

Gazetare: E. Fili  

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme