60 vite nga zbulimi, Amfiteatri i Durrësit hyn në një etapë të re ruajtjeje dhe studimi. Gonxhja: Mbi 28 mijë vizitorë në 8 muaj

Amfiteatri Antik i Durrësit hyn në një etapë të re të ruajtjes dhe studimit, 60 vite pas zbulimit të tij. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja. Sipas ministrit, ka nisur zbatimi i Planit të Konservimit dhe Gërmimeve Arkeologjike, një investim i Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, ndërsa vijojnë edhe kërkimet në kuadër të projektit italo-shqiptar “Durrësi Mesjetar – Amfiteatri”.
Ky projekt, i cili zhvillohet prej vitit 2018, ka kontribuar në pasurimin e të dhënave mbi historinë dhe zhvillimin e monumentit antik. Paralelisht me punën kërkimore dhe konservuese, Amfiteatri i Durrësit vijon të tërheqë një numër në rritje vizitorësh. Sipas të dhënave të publikuara nga ministri Gonxhja, gjatë periudhës janar-gusht 2026 monumenti është vizituar nga 28,823 persona, rreth 16.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Gjashtë dekada pas zbulimit, puna për ta njohur, mbrojtur dhe përcjellë këtë pasuri te brezat e ardhshëm vazhdon”, është shprehur Gonxhja.
Amfiteatri Antik i Durrësit mbetet një nga monumentet më të rëndësishme arkeologjike të vendit, ndërsa ndërhyrjet e reja synojnë ruajtjen e tij dhe thellimin e studimeve mbi historinë e monumentit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





