Katastrofa mjedisore në rezervuar/Nis largimi i peshqve të ngordhur, procedohet penalisht administrator i firmës
Dy ditë pas ngordhjes së mijëra kuintalëve peshk në rezervuarin e Kasharajt në Lushnje, ka nisur pastrimi i zonës. Forcat e Armatosura dhe punonjësit e Bashkisë së Lushnjës janë angazhuar për largimin e peshqve të ngordhur, ndërsa situata është inspektuar nga afër edhe nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi. Ndërhyrja nuk kufizohet vetëm te pastrimi, Ministri Nufi tha se do të punohet edhe për largimin e një rrjete të madhe peshkimi, e cila ka bllokuar hyrjen e shkarkuesit të rezervuarit.
“Po punojmë me të gjithë forcat e bashkisë Lushnjë edhe me forcat e armatosura që të bëjmë të mundur të largojmë rrjetin që ka bllokuar ë veprën ujdalëse”, tha ministri.
Peshqit e ngordhur po mblidhen në thasë dhe, sipas bashkisë, do të groposen në ish-fushën e aviacionit në Pluk, një hapësirë e miratuar për këtë qëllim pas vlerësimit të specialistëve.
Zbrazja e ujëmbledhësit nisi në kuadër të një projekti për rehabilitimin e digës dhe shkarkuesit. Sipas autoriteteve, diga ishte vlerësuar në vitin 2024 me rrezik për çarje. Projekti, me vlerë rreth 330 milionë lekë të vjetra, po zbatohet nga kompania Fled SHPK.
“Jo, nuk e kisha idenë fare që kishte peshk fare. Se kemi idenë pastaj ne kemi katër muaj që nuk punojmë”, tha Adminstrator i firmës FLED SHPK, Ferdi Marra.
Lidhur me ngjarjen e fundit në prokurori është referuar procedimi penal ndaj 58-vjeçarit Fredi Mara, administrator i kompanisë që po kryen punimet. Sipas policisë, procedimi nisi pasi gjatë rikonstruksionit të digës dhe shkarkuesit nuk janë marrë masat e duhura për menaxhimin e ujërave të rezervuarit, duke sjellë ngordhjen e një numri të konsiderueshëm peshqish.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





