Hita në Hagë, takim me drejtuesin e Europol: Bashkëpunim pa barriera me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit

Aktualitet | 1 orë më parë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka marrë pjesë në Konventën Evropiane të Shefave të Policisë (EPCC), ndërsa para nisjes së konferencës është pritur në një takim nga Drejtori Ekzekutiv në detyrë i Europol, Jürgen Ebner.

Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Holandës, Artur Kuko.

Ebner vlerësoi bashkëpunimin e Policisë së Shtetit me agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët ndërkombëtarë. Sipas tij, Shqipëria mbetet një partner i rëndësishëm i Europol në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe rritja e bashkëpunimit operacional, e reflektuar në shtimin e shkëmbimit të informacionit, hetimeve të përbashkëta dhe pjesëmarrjes së Policisë së Shtetit në mekanizmat e Europol dhe EMPACT.

Drejtori Ekzekutiv në detyrë i Europol vlerësoi gjithashtu punën e Zyrës Ndërlidhëse të Shqipërisë pranë Europol, duke e lidhur forcimin e bashkëpunimit me rritjen e profesionalizmit dhe besueshmërisë së Policisë së Shtetit.

Nga ana e tij, Hita theksoi rëndësinë e mbështetjes së agjencisë evropiane përmes ekspertizës, shkëmbimit të informacionit dhe operacioneve të përbashkëta.

“Dua t’ju siguroj se vizioni im në drejtimin e Policisë së Shtetit është i qartë dhe i mirorientuar: bashkëpunim i ngushtë, pa barriera, me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, si dhe me policitë partnere, duke kontribuuar denjësisht për sigurinë evropiane.  Jemi në luftë me krimin e kohëve moderne, ku teknologjia, ashtu siç na shërben neve, i shërben edhe krimit, i cili përditë e më shumë po globalizohet. Ndaj, është shumë i rëndësishëm forcimi i kapaciteteve profesionale dhe operacionale, duke vepruar me partnerët, pa barriera. Kjo është mënyra e duhur për të pasur sukses në misionin tonë”, ka deklaruar Hita.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme