Miratohet Kodi i ri i Sjelljes për lobistët, rregullat për transparencën dhe shmangien e konfliktit të interest

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka miratuar zyrtarisht Kodin e Sjelljes për Lobistët, përmes Urdhrit Nr. 194, datë 25 shtator 2026. Ky dokument vendos standardet etike dhe rregullat e sjelljes për të gjithë individët dhe subjektet e regjistruara në Regjistrin e Lobimit, me synim rritjen e besimit të publikut në proceset e vendimmarrjes publike.
Në thelb të këtij kodi qëndrojnë parimet e ligjshmërisë, transparencës, profesionalizmit dhe identifikimit të menjëhershëm të çdo konflikti të mundshëm interesi.
Kufizimet, ndalimi i ndikimit dhe ish-zyrtarët
Kodi i ri përcakton rregulla të rrepta për mënyrën se si lobistët duhet të ndërveprojnë me zyrtarët publikë, duke ndaluar çdo lloj presioni, shantazhi apo ofrimi favoresh. Po ashtu, vëmendje e veçantë u kushtohet ish-zyrtarëve publikë që kalojnë në sektorin e lobimit, duke u ndaluar atyre shfrytëzimin e informacioneve konfidenciale apo lidhjeve të mëparshme për të siguruar përparësi të padrejtë.
Lidhur me kufizimet specifike gjatë ushtrimit të veprimtarisë, dokumenti përcakton qartë se “lobisti nuk duhet të ofrojë ose premtojë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, përfitime materiale ose jomateriale, me qëllim ndikimin në procesin e vendimmarrjes publike. Lobisti nuk kërkon dhe nuk nxit zyrtarin publik të veprojë në kundërshtim me ligjin, rregullat etike ose detyrat që rrjedhin nga funksioni i tij.”
Fushatat e informimit dhe ndërgjegjësimit
Për të mbështetur zbatimin e këtij kuadri rregullator dhe për të parandaluar ndikimet e papërshtatshme, është nxjerrë paralelisht edhe Urdhri Nr. 195. Ky akt detyron organizimin e aktiviteteve edukuese dhe informuese për vetë lobistët, për zyrtarët publikë, si dhe për qytetarët.
Për organizimin dhe strukturimin e këtij procesi ndërgjegjësues, urdhri saktëson se “Komisioneri miraton dhe publikon, brenda datës 31 janar të çdo viti, kalendarin vjetor të aktiviteteve informuese dhe ndërgjegjësuese në fushën e lobimit. Kalendari vjetor përfshin aktivitete për lobistët dhe zyrtarët publikë, si dhe të paktën një aktivitet informues dhe ndërgjegjësues për publikun e gjerë.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





