Ministri Demo mbledh drejtuesit e Policisë: Prioritet, siguria në shkolla dhe goditja e armëmbajtjes pa leje

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, në një takim pune me drejtuesit e Policisë së Shtetit në nivel qendror dhe në qarqe ka bërë të ditur se rritja e parametrave të sigurisë në shkolla mbetet prioritet.
Demo vuri në dukje se nevojitet rritja e parametrave të sigurisë publike, forcimi i masave parandaluese, si dhe reagimi me forcën e ligjit dhe profesionalizëm ndaj çdo forme të paligjshmërisë.
Gjatë takimit, ministri Demo kërkoi nga kupola e Policisë së Shtetit një informacion të detajuar dhe të përditësuar mbi situatën kriminale në të gjithë territorin e vendit, ndërsa vëmendje të veçantë iu kushtua zonave me risk ku zhvillohet aktivitet kriminal në fushën e narkotikëve dhe lojërave të fatit, si dhe intensifikimit të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe impakt të drejtpërdrejtë te publiku.
Gjithashtu, një fokus i veçantë gjatë takimit iu kushtua parandalimit dhe goditjes së armëmbajtjes pa leje. Ministri Demo kërkoi shfrytëzimin maksimal të inteligjencës policore dhe ndërmarrjen e ndërhyrjeve të befasishme ndaj personave që qarkullojnë me armë zjarri, me qëllim neutralizimin e menjëhershëm të këtij kërcënimi për sigurinë publike.
Tjetër detyrë kryesore e lënë nga ministri për drejtuesit qendrorë dhe vendorë ishte zbatimi rigoroz i Paketës së Sigurisë në Shkolla.
“Siguria e nxënësve është prioritet mbi prioritetet”, theksoi Demo, duke kërkuar angazhimin maksimal të të gjitha strukturave për të garantuar mbrojtjen e fëmijëve brenda dhe përreth perimetrit të institucioneve arsimore.
Ministri i Punëve të Brendshme kërkoi gjithashtu një qasje proaktive nga drejtuesit vendorë, duke u kërkuar atyre të qëndrojnë personalisht në krye të shërbimeve në terren për të ndjekur drejtpërdrejt problematikat e territorit.
Ai nënvizoi se cilësia e shërbimit ndaj qytetarëve, sjellja etike, komunikimi i respektueshëm dhe adresimi në dinamikë i shqetësimeve të tyre janë shtyllat kryesore për rritjen e besimit të publikut te Policia e Shtetit.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, falënderoi Ministrin Demo për mbështetjen e dhënë dhe e siguroi atë për vendosmërinë e strukturave policore për të vijuar punën me profesionalizëm, në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit dhe me qytetarët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





