Zjarri masiv në Piraj të Lezhës vihet nën kontroll pas 5 orësh luftë me flakët

Aktualitet | 2 orë më parë

Flakët dogjën dy banesa të pabanuara, një kasolle dhe dëmtuan linjën hekurudhore, ndërsa forcat e emergjencave vijojnë punën në terren për fikjen e plotë të vatrave.

Pas rreth pesë orësh luftë intensive me flakët, është arritur të vihet nën kontroll zjarri masiv që përfshiu fshatin Piraj të Lezhës. Zjarri, i cili u përhap me shpejtësi, preku një pjesë të konsiderueshme të zonës dhe shkaktoi panik te banorët, teksa flakët iu afruan rrezikshëm banesave të tyre.

Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave civile vijojnë të jenë pranishëm në terren për shuarjen e plotë të çdo vatre aktive dhe për të parandaluar riaktivizimin e mundshëm të flakëve.

Lidhur me operacionin e ndërhyrjes, prefekti i qarkut Lezhë, Taulant Malshi, bëri me dije se angazhimi i gjerë i të gjitha strukturave në terren bëri të mundur minimizimin e pasojave dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

Nga bilanci i deritanishëm konfirmohet se nga zjarri janë djegur dy shtëpi të pabanuara dhe një kasolle bagëtish. Po ashtu, flakët kanë shkatërruar sipërfaqe të mëdha me pemëtari, si dhe kanë dëmtuar një segment të linjës hekurudhore në këtë zonë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme