Zjarri masiv në malin e Manatisë në Lezhë, vijon ndërhyrja nga ajri dhe toka. Flakët i afrohen zonës së banuar
Situata nga zjarri në malin e Manatisë në Lezhë vijon të jetë shqetësuese, ndërsa flakët janë përhapur në anën jugore të malit, në drejtim të fshatit, duke iu afruar zonës së banuar.
Zjarri, i cili u shfaq mbrëmjen e 1 tetorit pranë aksit të vjetër Lezhë-Milot, është riaktivizuar pas disa orësh ndërprerje. Era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve në terrenin malor, të mbuluar me shkurre dhe bimësi, duke vështirësuar ndërhyrjen e forcave në terren.
Forcat zjarrfikëse dhe efektivë të ushtrisë janë pozicionuar pranë banesave, me qëllim mbrojtjen e tyre dhe parandalimin e avancimit të flakëve drejt zonave të banuara.
Ndërkohë, operacioni për shuarjen e zjarrit po zhvillohet edhe nga ajri. Aktualisht në operacion po marrin pjesë dy helikopterë, në përpjekje për të frenuar përhapjen e flakëve dhe izoluar vatrat aktive.
Situata paraqitet e vështirë për shkak të erës, e cila vijon të favorizojë përhapjen e zjarrit.
Forcat në terren vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e vatrave, ndërsa terreni i vështirë malor dhe kushtet e erës mbeten faktorët kryesorë që po pengojnë neutralizimin e plotë të zjarrit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





