Standardizimi i transportit hekurudhor, miratohet rregullorja e re për parametrat teknikë dhe verifikimin e konformitetit

Aktualitet | 2 orë më parë

Shqipëria ka bërë një hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe integrimit të sistemit të saj hekurudhor me rrjetin europian, përmes botimit në Fletoren Zyrtare të detajeve teknike dhe Urdhrit Nr. 206, datë 18.9.2026 të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Dokumenti përcakton kuadrin e plotë të standardeve teknike të mjeteve lëvizëse si dhe rregullat për vlerësimin e konformitetit sipas kërkesave të ndërveprimit (TSI).

Përmes këtij kuadri rregullator, sigurohet që çdo mjet hekurudhor që operon në rrjetin kombëtar të përmbushë standarde të rregullta teknike, mjedisore dhe të sigurisë operative.

Kufizimet mjedisore, aerodinamike dhe pajisjet e sinjalizimit

Rregullorja vendos kritere të rrepta sa i përket emetimeve kimike, derdhjeve të lëndëve lubrifikuese dhe kontrollit të zhurmës, si në gjendje stacionare, ashtu edhe gjatë nisjes e lëvizjes. Po ashtu, janë normuar parametrat e ngarkesave aerodinamike – duke përfshirë pulset e presionit dhe efektet ndaj udhëtarëve apo punonjësve të linjës.

Në rrafshin e sigurisë vizuale dhe zanore, kërkohen specifikime strikte për dritat e përparme, dritat dalluese dhe sinjalin fundor të trenave, si dhe për sistemet e borive paralajmëruese. Veçanërisht theksohet integriteti i softuerit që përdoret në bordin e trenave për funksionet e sigurisë.

Sistemet e energjisë, përputhshmëria elektromagnetike (EMC) dhe kabina e makinistit

Dokumenti detajon specifikimet funksionale për furnizimin me energji elektrike, gjeometrinë dhe forcën e kontaktit të pantografëve, si dhe mbrojtjen nga rreziqet elektrike e atmosfera shpërthyese. Gjithashtu, janë normuar kufijtë e përputhshmërisë elektromagnetike (EMC) midis mjetit, sistemit hekurudhor dhe mjedisit rrethues.

Sa i përket stafit drejtues, rregullorja përcakton standarde ergonomike për kabinën e makinistit, duke përfshirë karakteristikat mekanike dhe optike të xhamit të përparmë e fushën e dukshmërisë; kushtet mjedisore brenda kabinës (ventilimi, kontrolli i CO2, zhurma dhe ndriçimi); sistemet e mbikëqyrjes automatike të vigjilencës së makinistit dhe pajisjet e regjistrimit të të dhënave operative.

Mbrojtja nga zjarri, evakuimi dhe sinjalizimi inteligjent (ERTMS/ETCS)

Për sa i përket sigurisë së udhëtarëve dhe emergjencave, dokumenti përfshin koncepte të qarta të mbrojtjes nga zjarri, evakuimit, ndriçimit emergjent dhe sistemeve të alarmit. Gjithashtu, normohet furnizimi me ujë të pijshëm dhe menaxhimi i ujërave të ndotura.

Në aspektin e kontroll-sinjalizimit, përcaktohet zbatimi i sistemeve moderne radio si GSM-R dhe integrimi i sistemit evropian të sinjalizimit të kabinës (ETCS/ERTMS), si dhe rregullat për transportin e mallrave të rrezikshme (RID).

Urdhri i ministrit dhe përafrimi me të drejtën e Bashkimit Europian

Në përmbyllje të dokumentit, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, përmes Urdhrit Nr. 206, ka zyrtarizuar miratimin e rregullores për vlerësimin e konformitetit dhe verifikimin CE. Sipas këtij urdhri, ngarkohen për zbatim të gjitha subjektet e sektorit.

“Ngarkohen Autoriteti i Sigurisë Hekurudhore, sipërmarrjet hekurudhore, administratorët e infrastrukturës, subjektet përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe subjektet projektuese për ndjekjen dhe zbatimin e këtij urdhri.”, thuhet në vendim.

Kjo rregullore përafron plotësisht legjislacionin shqiptar me Vendimin e Komisionit BE 2010/713/BE dhe Direktivën 2008/57/KE. Urdhri ka hyrë në fuqi menjëherë me botimin në Fletoren Zyrtare dhe parashikohet të shfuqizohet vetëm në datën e anëtarësimit të plotë të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kur do të zbatohen direkt rregulloret komunitare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme