Demo vizitë tek IdentiTek: Ulen tarifat për dokumentet e identitetit për kategoritë në nevojë

Aktualitet | 1 orë më parë

Ministria e Punëve të Brendshme ka nisur punën për uljen e tarifave të dokumenteve të identitetit për kategori të caktuara qytetarësh që kanë më shumë nevojë për mbështetje.

Gjatë një vizite në ambientet e IdentiTek, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, u njoh nga afër me procesin e prodhimit dhe ofrimit të dokumenteve të identitetit, ndërsa theksoi nevojën që përmirësimi i shërbimeve të shoqërohet edhe me uljen e kostove për qytetarët.

“Kemi nisur punën për uljen e tarifave të dokumenteve të identitetit për kategori të caktuara që kanë më shumë nevojë për mbështetje”, tha Demo.

Paralelisht me rishikimin e tarifave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe IdentiTek po punojnë për thjeshtimin dhe përshpejtimin e procedurave për pajisjen me dokumente identiteti.

Sipas ministrit, procedura e zakonshme për pajisjen me dokument realizohet brenda 10 ditëve pune, ndërsa shërbimi i përshpejtuar brenda 3 ditëve pune.

Në fokus është edhe zgjerimi i shërbimeve online. Qytetarët mund të kryejnë disa procedura përmes internetit, përfshirë blerjen e kuponit dhe gjurmimin e dokumentit.

“Kemi një prioritet të qartë: shërbim më të shpejtë, më të thjeshtë dhe më pranë qytetarit. Më shumë shërbime online, respektim i afateve, shërbim në banesë apo spital për qytetarët me vështirësi në lëvizje dhe më shumë mundësi për bashkatdhetarët që jetojnë larg shërbimeve konsullore”, tha Demo.

Një tjetër shërbim që synohet të zgjerohet është ofrimi i dokumenteve në banesë ose në spital për qytetarët që kanë vështirësi në lëvizje, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij.

Ministri Demo ka njoftuar gjithashtu se do të vijojë puna për rritjen e shërbimeve për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Për këtë qëllim parashikohet organizimi i misioneve të posaçme në zona ku ka përqendrim të komunitetit shqiptar, por ku nuk ofrohen shërbime konsullore.

Ndërkohë, në bashkëpunim me AKSHI-n dhe AKSK-në po punohet për zhvillimin e Letërnjoftimit Digjital, si dhe për teknologjinë e pasaportës së së ardhmes, me synim përmbushjen e standardeve të vitit 2030.

Ministri Demo tha se çdo ndryshim në shërbimet e dokumenteve të identitetit duhet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te qytetari.

“Çdo përmirësim që bëjmë këtu duhet të përkthehet në diçka konkrete për qytetarin, më pak kohë, më pak kosto dhe më shumë shërbim”, tha Demo.

Masat e reja synojnë të reduktojnë kohën dhe kostot për qytetarët, si dhe të rrisin aksesin në shërbimet e dokumenteve të identitetit për kategoritë që kanë më shumë nevojë për mbështetje.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme