Pastrohen kanalet kulluese pas 20 vitesh, aksion në Barbullush për të shmangur përmbytjet
Kanale kulluese të papastruara prej më shumë se dy dekadash, të mbuluara nga mbetjet dhe vegjetacioni i dendur. Kjo ishte gjendja e kanaleve kulluese në zonën e Barbullushit, në Bashkinë Vau-Dejës.
Shërbimet publike, në bashkëpunim me Bordin e Kullimit, kanë nisur prej disa ditësh punën për pastrimin dhe hapjen e tyre, me synimin për të parandaluar përmbytjet gjatë sezonit të reshjeve.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Bashkinë Vau-Dejës, Besmir Lepi, u shpreh për RTSH se: “Po kryejmë hapjen e kanaleve kulluese për t’u paraprirë përmbytjeve që mund të shkaktohen nga reshjet e stinës së dimrit. Falë bashkëpunimit me Bordin e Kullimit, është ndërhyrë edhe në lumin Gjadër, pasi në këtë zonë ka pasur probleme të vazhdueshme me përmbytjet e tokave bujqësore. Këto punime synojnë të përmirësojnë shkarkimin e ujërave dhe të reduktojnë rrezikun e përmbytjeve për banorët dhe fermerët e zonës.”
Për banorët e Barbullushit, kjo është një ndërhyrje e shumëpritur. Ata shprehen se kanalet nuk janë hapur dhe pastruar prej rreth 20 vitesh, duke penguar kullimin normal të ujërave dhe duke krijuar problematika të vazhdueshme gjatë periudhave me reshje të dendura.
Sipas tyre, çdo dimër zonat përreth përballen me grumbullimin e ujërave, ndërsa kanalet e bllokuara nuk kanë mundur të kryejnë funksionin e tyre.
Ndërkohë, drejtori i Shërbimeve Publike u bëri apel banorëve që të mos hedhin mbetje në kanalet kulluese, pasi ato mund të bllokojnë rrjedhën e ujit dhe të dëmtojnë funksionimin e tyre pikërisht në periudhën kur nevoja për kullim është më e madhe.
Ndërhyrja në Barbullush vjen në kuadër të punës për mirëmbajtjen e rrjetit kullues në zonat problematike, me synim përgatitjen e territorit për reshjet e muajve në vijim.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





