Koçiu: Rrjet i ri i furnizimit me ujë të pijshëm për mbi 900 banorë në Kombinat

Aktualitet | 2 orë më parë

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu inspektoi sot punimet që po kryhen për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellës-kanalizimeve në Kombinat, që do të mundësojë furnizimin me ujë të pijshëm për mbi 920 banorë.

“Puna vijon edhe gjatë fundjavës në Kombinat, për t’iu përgjigjur sa më shpejt kërkesave të banorëve në rrugën “Konçita Konomi”. Së bashku me UKT-në, kemi nisur punën për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellës-kanalizimeve, duke mundësuar furnizimin me ujë të pijshëm për mbi 920 banorë”, u shpreh Koçiu.

Zv.kryeministrja theksoi se të gjitha ndërhyrjet po ecin paralelisht me punimet për rikualifikimin e rrugës, në koordinim edhe me Bashkinë e Tiranës, për të garantuar njëkohësisht shërbime cilësore dhe infrastrukturë të qëndrueshme.

“Punët e mira për Kombinatin nuk do të ndalen. Do të vijojmë të jemi pranë banorëve, në çdo bllok banimi dhe në çdo lagje, për të përmirësuar përditshmërinë e tyre”, siguroi Koçiu.

Koçiu informoi se nga takimet me banorët u ngrit shqetësimi i rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve.

“Një nga kërkesat kur erdhëm këtu dhe filluam investimin e gjithë bllokut ishte pikërisht edhe rrjeti i furnizimit me ujë të pijshëm, me qëllim që të mos mbaroheshin shtresat asfaltike të rrugës dhe pastaj të shkohej me riçarje të rrugës për të futur tubacionet në secilën nga shtëpitë që janë në të gjithë këtë bllok. Kështu që është lajm shumë i mirë për gjithë zonën këtu, për të gjithë banorët fakti që po ndërhyhet paralelisht me qëllim që dhe investimet që zhvillohen në zonë të jenë të qëndrueshme”, u shpreh Koçiu.

Ndërhyrja përfshin një sistem të ri linjash furnizimi për gjithë zonën, ndërsa investimi mbulon një lagje me rreth 210 shtëpi dhe 920 banorë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme