Andrew kundërshton në gjykatë kontrollet e policisë pas arrestimit për çështjen Epstein

Andrew Mountbatten-Windsor ka ndërmarrë veprime ligjore ndaj policisë së Thames Valley, duke kundërshtuar urdhër-kontrollet e përdorura në kuadër të arrestimit të tij në shkurt.
Ish-Princi Andrew u arrestua nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës publike, pas informacioneve të bëra publike nga dosjet e Jeffrey Epstein në SHBA.
Avokatët e Mountbatten-Windsor kanë nisur procedurat për të kundërshtuar ligjshmërinë e urdhrave të kontrollit të përdorur nga policia në pronën Marsh Farm në Sandringham dhe në ish-rezidencën e tij, Royal Lodge, në Windsor. Sipas raportimeve, ai ka kërkuar një rishikim gjyqësor të vendimeve që autorizuan kontrollet.
Policia e Thames Valley konfirmoi se është përfshirë në procedura ligjore lidhur me urdhrat e kontrollit të lëshuar më herët nga Gjykata Qendrore Penale, por nuk dha detaje të tjera për shkak se çështja është ende në shqyrtim.
Policia kishte kryer kontrolle për disa ditë në pronat e Mountbatten-Windsor pas arrestimit të tij, i cili ndodhi pikërisht në ditëlindjen e tij të 66-të. Pas arrestimit, ai u dërgua në komisariatin e Aylsham dhe më vonë u lirua nën hetim.
Hetimi i policisë vijon, ndërsa Mountbatten-Windsor ka mohuar në mënyrë të vazhdueshme çdo shkelje në lidhje me marrëdhëniet e tij me Jeffrey Epstein, i dënuari për krime seksuale.
Mountbatten-Windsor humbi titullin e princit dhe atë të Dukës së York-ut për shkak të lidhjeve të tij me Epstein.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





