Zyrtare/ Bekim Sejdiu tërhiqet përfundimisht nga gara për President të Kosovës: Vendi ka nevojë për reflektim

Përmes një deklarate zyrtare të shpërndarë në rrjetet sociale, profesor Bekim Sejdiu ka konfirmuar përfundimisht tërheqjen e tij nga procesi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës. Sejdiu sqaroi se vendimi i tij vjen si rrjedhojë e pamundësisë për arritjen e një konsensusi mes forcave politike propozuese dhe mbështetëse.
“Më datë 14 shtator, unë kam njoftuar tërheqjen time nga procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, për shkak të pamundësisë së realizimit të marrëveshjes LDK-LVV, dy partitë që më kanë propozuar dhe mbështetur në këtë proces. Kjo për shkak të qëndrimit të dy partive të tjera opozitare dhe 6 deputetëve të LDK-së,”, bëri të ditur Sejdiu.
Komunikimi me krerët politikë dhe mungesa e mbështetjes në Kuvend
Pavarësisht se emri i tij u rikthye së fundmi në diskutimet publike, Sejdiu nënvizoi se u ka bërë të qartë drejtuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje se nuk e konsideron më veten pjesë të këtij procesi elektoral.
“Kam njoftuar krerët e LDK-së dhe Kryeministrin Kurti se unë nuk e konsideroj veten pjesë të procesit të zgjedhjes së Presidentit, për arsye të mos arritjes së një marrëveshjeje politike dhe mungesës së përkrahjes së nevojshme në Kuvend,”, theksoi ai gjatë sqarimit të tij.
Motivimi personal dhe falënderimet për besimin e dhënë
Duke e cilësuar pranimin e kandidaturës si një përpjekje për të ndihmuar vendin në kapërcimin e bllokadës politike, Sejdiu shprehu mirënjohjen e tij për liderët politikë dhe komunitetin akademik që e mbështetën gjatë kësaj periudhe.
“Siç e kam theksuar kur e kam pranuar kandidaturën për postin e Presidentit e vetmja arsye dhe i vetmi motiv që më ka nxitur të marrë përsipër këtë barrë, ka qenë interesi i vendit dhe përpjekja për të ndihmuar në daljen nga kriza. Kryeministrin Kurti dhe Kryetarin Abdixhiku i kam falënderuar për besimin ndaj meje dhe korrektësinë në komunikimin me mua,”, u shpreh Sejdiu.
Thirrja për reflektim mbi krizën politike në vend
Në përmbyllje të mesazhit të tij, Sejdiu nëvizoi keqardhjen për ngërçin politik në të cilin ndodhet Kosova, duke u bërë thirrje aktorëve politikë që të lënë mënjanë interesat personale.
“Nuk mund të përmbyllë këtë postim pa shprehur dhimbjen time personale për ankthin dhe zhgënjimin që po përjeton Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj. Le të jenë këto momente reflektimi për të gjithë, përtej inateve të ngushta dhe interesave personale,”, përfundoi Sejdiu.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




