Zelensky paralajmëron për një sulm masiv rus: Kievi po merr masa urgjente mbrojtëse

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se vendi i tij po përgatitet për mundësinë e një ofensive të re ruse në shkallë të gjerë.
Sipas kreut të shtetit ukrainas, autoritetet po punojnë me shpejtësi për zbatimin e masave mbrojtëse dhe detyrave prioritare për t’iu kundërvënë përshkallëzimit të mundshëm, ndërsa sulmet ruse mbi infrastrukturën dhe logjistikën vazhdojnë.
Në një mesazh të publikuar në rrjetin Telegram, pas një konference me zyrtarë të lartë qeveritarë, komandantë ushtarakë dhe përfaqësues të agjencive të sigurisë, Zelensky bëri me dije se Ukraina ka marrë të dhëna të përditësuara inteligjence lidhur me përgatitjet e Rusisë për të nisur një sulm të madh.
Ai u shpreh se qeveria, në bashkëpunim me autoritetet rajonale, ka përgatitur zgjidhje shtesë logjistike me qëllim përballimin e operacioneve ruse që synojnë dëmtimin e rrjetit të transportit dhe furnizimit ukrainas.
Udhëheqësi ukrainas konfirmoi se autoritetet tashmë kanë nisur zbatimin e disa detyrave me prioritet të lartë. Gjithashtu, janë caktuar afate të qarta për përfundimin e pjesës më të madhe të masave që synojnë fuqizimin e kapaciteteve të vendit për të përballuar çdo përshkallëzim ushtarak.
Këto paralajmërime vijnë në një kohë kur lufta po përballet me një intensifikim të ndërsjellë të sulmeve me rreze të gjatë veprimi, duke goditur objekte vitale dhe infrastrukturë kritike në të dyja anët.
Gjatë ditëve të fundit, Zelenskyy ka akuzuar Moskën për zbatimin e një strategjie të re për zgjerimin e goditjeve ajrore ndaj logjistikës ukrainase. Ai theksoi se Kievi do të përgjigjet duke goditur rafineritë e naftës brenda Rusisë, duke siguruar se objektivat civilë nuk do të jenë pjesë e këtyre sulmeve.
Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se do të rritë intensitetin e goditjeve mbi bazat ushtarake, objektet industriale dhe infrastrukturën që ndihmon ushtrinë ukrainase.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




