Ribonifikimi i fushës së Maliqit, investimi nis vitin tjetër. Financohet nga Ministria e Bujqësisë

Aktualitet | 59 minuta më parë

Vitin e ardhshëm do të nisë ribonifikimi i fushës së Maliqit, përmes një investimi madhor i cili është buxhetuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2027.

Lajmin e ka bërë të ditur prefektja e qarkut të Korçës Florinda Zegullaj, pas takimit të Organit Këshillimor të zhvilluar një ditë më parë për masat parandaluese dhe përballimin e emergjencave civile gjatë sezonit vjeshtë–dimër 2026–2027, me fokus rrezikun nga përmbytjet në Qarkun Korçë.

“Kjo ministri ka buxhetuar për vitin 2027 ë investim të plotë për fushën e Maliqit. Pra një projekt i plotë që mund t’i japë zgjidhje problematikave të fushës së Maliqit. Për ribonifikimin kemi një sipërfaqe shumë të madhe të tokave bujqësore akoma nën ujë. Prandaj edhe trajtimi dhe një investim kapital është shumë i domosdoshëm’, tha Zegullaj.

Në qendër të diskutimit gjatë takimit të zhvilluar ishin siguria e digave, funksionimi i sistemeve të kullimit, problematikat e veprave hidroenergjetike dhe koordinimi i institucioneve përgjegjëse. Një tjetër lajm i mirë ka qenë edhe nisja e studimit të fizibilitetit në rreth 400 diga në Shqipëri nga të cilat 44 janë në qarkun e Korçës.

“Një projekt i financuar nga Bashkimi Europian në kuadër të të cilit do realizohet studim fizibiliteti për më shumë se 400 diga që janë nën administrimin e bashkive”, tha ajo.

Në takim u lanë detyra për monitorimin e vazhdueshëm të situatës gjatë stinës së shirave, si dhe për koordinimin e punës ndërmjet institucioneve, në mënyrë që për çdo emergjencë të mundshme reagimi të kryhet në kohën e duhur.

Gazetare: Kostanca Koçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme