Modric: Reali është klubi i jetës sime, do të doja shumë të kthehesha

Futboll Bota | 57 minuta më parë

“Sigurisht, Real Madridi është shtëpia ime, është klubi i jetës sime. Isha atje për 13 vjet. Do ta shohim çfarë do të ndodhë në të ardhmen. E thashë herën e fundit në një intervistë, sigurisht që do të doja të kthehesha, por të isha i dobishëm, të punoja për Madridin, jo vetëm të qëndroja në Madrid, të ndihmoja në çfarëdo mënyre që mundem”. Kjo është dëshira e mesfushorit të Milanit, Luka Modriç, për të ardhmen e tij, në një intervistë me Cadena Cope pas ndeshjes Kroaci-Spanjë.

“Por gjithashtu duhet të përgatitem”, shton ylli kroat, “dhe të kuptoj se çfarë do të bëj, çfarë roli do të kem dhe nëse klubi më do… Shumë gjëra duhet të përputhen për t’u rikthyer, por do ta shohim, nuk po mendoj për këtë tani”.

Megjithatë, për momentin nuk ka ardhur koha që Modric të varë këpucët në gozhdë: “Ndihem mirë, kam ende pasionin, ambicien dhe forcën. Dhe për sa kohë që ndihem kështu, dua të vazhdoj të luaj. Sa do të zgjasë në këtë moshë? Nuk mund të them, mund të jetë dy muaj, tre muaj, gjashtë muaj, një vit, dy… Nuk e di. Nuk dua të jap një përgjigje tani dhe të pendohem më vonë”.

“Do të shkoj hap pas hapi, ndeshje pas ndeshjeje, muaj pas muaji, duke dëgjuar trupin tim dhe si ndihem, dhe pastaj do të vendos me qetësi të plotë mendore. Do të shohim se sa do të zgjasë, nëse ky do të jetë viti im i fundit në futboll apo do të vazhdoj, nuk e di, por ajo që mund t’ju them është se ndihem mirë dhe ende po e shijoj”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme