Zogaj: Zgjedhja e presidentes në Kosovë, një akt pjekurie i elitës politike
Në emisionin “Trialog”, të moderuar nga gazetarja Alba Alishani, analisti Preç Zogaj komentoi zhvillimet politike në Kosovë dhe mënyrën se si u zgjidh kriza institucionale përmes zgjedhjes së presidentes së vendit.
Sipas Zogajt, Kosova ndodhej përballë një situate mjaft të vështirë politike, ku ekzistonte rreziku real që vendi të shkonte për herë të pestë në zgjedhje të parakohshme.
Ai e cilësoi zgjedhjen e presidentes si një kompromis të arritur në momentet e fundit, i cili shmangu një krizë të re politike dhe institucionale.
“Situata ishte mjaft pesimiste, pasi Kosova rrezikonte të shkonte për të pestën herë në zgjedhje të parakohshme. Zgjedhja e presidentes ishte një kompromis i orëve të fundit, por një kompromis i domosdoshëm për të dalë nga ngërçi politik”, u shpreh Zogaj.
Analisti theksoi se ky vendim përbën një shenjë pjekurie nga elita politike kosovare, e cila për muaj të tërë ishte përballur me një krizë që kishte vënë në pikëpyetje kapacitetin shtetformues të institucioneve të vendit.
“Zgjedhja e saj është një kompromis, por mbi të gjitha është një akt pjekurie dhe një akt pozitiv i elitës politike të Kosovës. Përgjatë disa muajve, kriza politike po vinte në dyshim, në një farë mënyre, edhe kapacitetin shtetformues të vetë Kosovës”, deklaroi ai.
Zogaj nënvizoi se mosarritja e zgjedhjes së presidentit po jepte një mesazh negativ si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij, duke krijuar përshtypjen e një sistemi politik të paaftë për të zgjidhur çështjet themelore institucionale.
“Ishte një lajm shumë i keq fakti që Kosova nuk po arrinte të zgjidhte Presidentin dhe për këtë arsye kalonte nga zgjedhjet në zgjedhje. Madje edhe formimi i qeverisë është realizuar me shumë vështirësi”, tha ai.
Në përfundim të analizës së tij, Zogaj vlerësoi se tejkalimi i kësaj situate përbën një zhvillim pozitiv për stabilitetin politik të Kosovës.
“Kalimi i kësaj situate është një gjë pozitive dhe kriza u zgjidh. Një element tjetër për t’u përmendur është fakti se kjo është presidentja e tretë grua në krye të shtetit të Kosovës, një tregues i rëndësishëm i përfaqësimit të grave në institucionet më të larta të vendit”, përfundoi Zogaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




