Luarasi në Kuvend: Harta territoriale nuk shuan zjarret, por përcakton bashkitë e afta për shërbime

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, mbrojti ecurinë e reformës administrative duke theksuar se ndarja territoriale është përcaktuese për cilësinë e shërbimeve që marrin qytetarët. Duke marrë si shembull shërbimin e mbrojtjes nga zjarri, ajo vuri në dukje se rritja e kapaciteteve vendore ka ardhur si rezultat i konsolidimit të bashkive.
“Mbrojtja nga zjarri u kalua si përgjegjësi te bashkitë: në fillim vetëm 36 prej tyre morën stacione zjarrfikëse, por në fund të vitit 2018 të gjitha bashkitë kishin të paktën një stacion. Trupa e zjarrfikësve, nga 739 punonjës që numëronte në vitin 2016, arriti në rreth 1,730 në vitin 2024,” deklaroi Luarasi.
Deputetja nënvizoi se qëllimi kryesor i ndryshimeve territoriale është krijimi i njësive funksionale dhe jo thjesht ngritja e zyrave administrative.
“Një hartë nuk shuan zjarre vetë, por vendos nëse ka njerëz dhe pajisje të mjaftueshme për ta bërë këtë. Është pikërisht ajo hartë që përcaktoi nëse do të kishim bashki të afta për të mbajtur një stacion, një kopsht apo një kanal ujitës,” u shpreh ajo.
Argumentet mbi shpopullimin dhe treguesit financiarë
Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës se reforma administrative shkaktoi largimin e banorëve, Luarasi solli në vëmendje të dhënat e censuseve ndër vite për të treguar se rënia e popullsisë kishte nisur përpara vitit 2014.
“Shpopullimi është një nga plagët më të rënda të vendit dhe meriton një shpjegim më serioz: ai nuk lindi me hartën e vitit 2014. Nga Censi i vitit 2001 te ai i vitit 2011 — kur kishim ende 370 komuna e bashki — popullsia ra me rreth 8%. Nëse hartat do t’i nxirrnin njerëzit nga vendi, atëherë Danimarka — e cila e uli numrin e komunave nga 271 në 98 — sot do të ishte e zbrazur,” argumentoi deputetja.
Ajo renditi gjithashtu treguesit ekonomikë të pushtetit vendor përgjatë dekadës së fundit, duke cituar edhe raporte ndërkombëtare, sipas së cilës shpenzimet vendore u rritën me 170%; të ardhurat nga taksat dhe tarifat u rritën me 250%; detyrimet e prapambetura ranë me rreth 75%.
“Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Evropës shkroi në vitin 2021 se, pas reformës dhe ligjit për financat vendore të vitit 2017, të ardhurat e veta të bashkive pothuajse u dyfishuan dhe investimet e vetëfinancuara u katërfishuan,” nënvizoi Luarasi.
Aspekti kushtetues, konsensusi dhe kriteret e hartës së re
Lidhur me pretendimet për nevojën e një referendumi apo shkelje të Kushtetutës, deputetja solli në vëmendje vendimmarrjen e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese dhe parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale.
“Neni 108/2 i Kushtetutës kërkon që kufijtë të mos ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë. Mirëpo, mendimi dhe pëlqimi janë dy koncepte të ndryshme. Kur në vitin 2015 Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje ajo rrëzoi pretendimin se referendumi është e vetmja rrugë konsultimi, duke pranuar format alternative si dëgjesat publike,” deklaroi ajo.
Sa i përket hartës së re të propozuar, Luarasi sqaroi se ajo bazohet në tregues të matshëm si koha e udhëtimit, kohezionit social-ekonomik dhe ruajtja e veçorive minoritare, ndërsa kritikoi propozimet e opozitës për shtimin e numrit të bashkive.
“Krijimi i 40 bashkive më shumë do të thoshte 40 kryetarë, 40 këshilla dhe 40 aparate administrative më shumë që duhen paguar përpara se t’u ofrohet shërbimi qytetarëve. Harta territoriale nuk është ajo që shuan zjarret apo që ndez dritat e rrugëve, por është ajo që përcakton nëse do të kemi bashki me kapacitete të plota për t’i ofruar këto shërbime,” përfundoi Luarasi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




