Shtohen rastet me skoliozë, në Kukës specialistët evidentojnë raste kryesisht në grupmoshën 7-18 vjeç
Në shërbimin e fizioterapisë në Spitalin Rajonal të Kukësit po shtohen rastet e fëmijëve dhe të rinjve që paraqiten për probleme të shtyllës kurrizore, veçanërisht për skoliozën.
“Rastet me skoliozë janë në përgjithësi. Gjatë gjithë kohës vërehet rritje e numrit të rasteve të deformimeve të kolonës vertebrale te fëmijët. Kryesisht që nga mosha shtatë-tetë vjeç edhe deri 17, 18 vjeç edhe raste më të mëdha. Por këto janë domethënë periudha kohore e moshës që është më e prekur edhe numri i rasteve po shtohet më shumë”, tha Barie Kastarti, fizioterapiste.
Ndër faktorët që ndikojnë në shëndetin e shtyllës kurrizore është edhe mungesa e aktivitetit fizik. Qëndrimi për orë të gjata ulur, sidomos para pajisjeve elektronike, si dhe mungesa e lëvizjes mund të ndikojnë negativisht në qëndrimin e trupit dhe shëndetin e fëmijëve.
“Shkaktarë janë disa, është çanta, por jo vetëm, është edhe mungesa e aktivitetit fizik, është qëndrimi për një kohë të gjatë në telefon, në televizor, në kompjuter”, tha fizioterapistja.
Skolioza është një deformim i shtyllës kurrizore që mund të shfaqet gjatë rritjes, ndaj vëmendja ndaj shenjave të para është e rëndësishme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




