Përmeti vishet kuqezi, aktivitete dhe atmosferë festive në prag të festave kombëtare
Nëntori ka sjellë një atmosferë të veçantë festive në Përmet. Qyteti është veshur kuqezi, me flamuj kombëtarë që valëviten në rrugë, sheshe dhe në zonat përreth, duke përcjellë emocionin dhe krenarinë për festat e 28 dhe 29 Nëntorit.
“Bashkia Përmet ka marrë të gjitha masat për dekorimin e qytetit për festat e 28-29 Nëntorit. Duke filluar që në hyrje të qytetit janë vendosur flamujt kuqezi. Edhe në njësitë administrative, administratorët e këtyre njësive kanë marrë të gjitha masat për të bërë që këto festa të ndjehen sa më shumë pranë komunitetit të tyre”, tha Arjana Papapano, Drejtoreshë e Shërbimeve Publike, në Bashki.
Krahas dekorimit festiv, gjatë këtij muaji janë parashikuar edhe aktivitete të ndryshme, me synimin për të gjallëruar jetën qytetare dhe për të sjellë më pranë komunitetit frymën e festave kombëtare.
“Bashkia Përmet ka organizuar së bashku me shkollat dhe nxënësit e qytetit që në datën 29 nëntor të zhvillohet një koncert festiv në qendër të qytetit. Mësuesit së bashku me nxënësit kanë përgatitur koncertet festive për këtë datë”, u shpreh Papapano.
Përmes dekorimeve dhe aktiviteteve festive, Bashkia Përmet synon të ruajë traditën e festave kombëtare dhe të përcjellë te qytetarët, veçanërisht te brezi i ri, rëndësinë e këtyre datave historike. Në prag të 28 dhe 29 Nëntorit, qyteti i trëndafilave merr kështu ngjyrat e flamurit, duke u bërë pjesë e atmosferës festive që përfshin gjithë vendin.
Gazetare: Leonida Koçiu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




