Eni Vasili kërkon më shumë investime për RTSH-në: Tarifa e shërbimit e pandryshuar prej 12 vitesh, kostot janë rritur

Aktualitet | 29 minuta më parë

Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, ka raportuar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik mbi projektbuxhetin e institucionit për vitin 2027 dhe situatën financiare të RTSH-së.

Vasili bëri të ditur se, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, financimi buxhetor për RTSH-në në vitin 2027 është parashikuar në 940 milionë lekë, me një rritje prej 5.6%.

Ajo sqaroi se shtesa prej 50 milionë lekësh në shpenzimet korrente është parashikuar për programin e projekteve teknike, futjen e teknologjive të reja dhe mirëmbajtjen e rrjetit DVB-T2. Ndërsa programet e tjera, sipas saj, kanë mbetur në të njëjtin nivel financimi si në vitin 2026.

“Kjo rritje në vlerën 50 milionë lekë në shpenzimet korrente është bërë për programin e projekteve teknike, për futjen e teknologjive të reja dhe shërbimin e mirëmbajtjes së rrjetit DVB-T2. Programet e tjera kanë mbetur në nivelin e mëparshëm, në nivelin e vitit 2026”, deklaroi Vasili.

Duke u ndalur te situata financiare e institucionit për periudhën 2020-2026, ajo bëri të ditur se të ardhurat totale të RTSH-së arrijnë në maksimumin prej 2.4 miliardë lekësh. Prej kësaj shume, 1.3 miliardë lekë, ose 52%, vijnë nga tarifa e shërbimit, 34% nga financimi buxhetor dhe 14% nga të ardhurat e tjera.

Vasili evidentoi si një nga problemet kryesore tarifën e shërbimit, e cila nuk ka ndryshuar prej 12 vitesh, ndërkohë që shpenzimet e institucionit janë rritur ndjeshëm.

“Problemi kryesor mbetet tarifa e shërbimit, e cila ka mbetur e pandryshuar prej 12 vitesh, ndërkohë që shpenzimet reale janë rritur ndjeshëm, për shumë arsye, për shkak të rritjes së pagave, kostove të energjisë, mirëmbajtjes, shërbimeve teknike, shtimit të detyrime për transmetimet ndërkombëtare, satelitore si dhe rritjes së përgjithshme të kostove të çdo tregu. Arsyet themelore për kërkesë për rritje financimi janë rritja e kostove operative, nevoja për modernizim dhe digjitalizim, rritje e kërkesës për përmbajtje digjitale ndërkombëtare, nevoja për bashkëprodhime dhe investime në teknologji”, u shpreh ajo.

Sa u përket kërkesave për fondet e vitit 2027, Vasili renditi ndër prioritetet programet për shqiptarët jashtë kufijve dhe për publikun e huaj, në gjuhë të huaja.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme