Buxheti 2027/Nga studiot te arkivi audioviziv, Hoxhalli: Tre ndërhyrje madhore për modernizimin e RTSH-së

Aktualitet | 13 minuta më parë

Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar ka prezantuar prioritetet buxhetore për vitin 2027, gjatë diskutimeve në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, ku u shqyrtua projektligji “Për Buxhetin e vitit 2027”.

Kreu i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli, bëri të ditur se për vitin e ardhshëm janë parashikuar tri ndërhyrje kryesore, të cilat konsiderohen të domosdoshme për modernizimin e transmetuesit publik.

Sipas Hoxhallit, 305 milionë lekë do të shkojnë për vënien në punë dhe pajisjen e ateliesë, 172 milionë lekë për rinovimin e regjive televizive dhe garantimin e pavarësisë teknike të RTSH Sport, ndërsa 84 milionë lekë për krijimin e një platforme që do të mundësojë aksesin publik në arkivin audioviziv.

“Për vitin 2027 i japim përparësi 3 ndërhyrjeve të cilat i konsiderojmë absolutisht të domosdoshme. Vënia në punë dhe pajisja e atelies 305 milionë lekë që i jep RTSH një pamje moderne prodhimi, e dyta ështrë rinovimi i regjive televizive dhe pavarësia teknike e RTSH sport, rreth 172 milionë lekë dhe e treta është platforma për aksesin për arkivin audiovizive në një vlerë prej 84 milionë lekësh kjo edhe në përgjigje të drejtëepërdejtë të rekomandimeve të Kuvendit pëtr hapjen e arkivit ndaj publikut.”, tha Hoxhalli.

Hoxhalli theksoi se hapja e arkivit për publikun vjen edhe në përgjigje të rekomandimeve të Kuvendit.

Ai bëri gjithashtu të ditur se këto investime janë pjesë e programit të modernizimit për periudhën 2027-2029, me një vlerë totale prej rreth 1.1 miliardë lekësh. Programi përfshin edhe regjinë lëvizëse, transmetimin FM të Radio Tiranës, teknologjinë e re satelitore të radios, sistemin e monitorimit dhe furnizimin me energji elektrike.

“Hapi i parë i programit të modernizimi për periudhën 2027-2029 prej rreth 1.1 miliardë lek2ësh programi përfshinë regjinë lëvizëse transmetimin FM të Radio Tiranës, teknologjinë e re satelitore të radios, sistemin e monitorimit dhe furnizimin me energji elektrike.  Këshilli Drejtues angazhohet të ushtrojë me përgjegjshmëri mbikëqyrjen që i ngarkon ligji mbi çdo qindarkë të këtyre të këtij fondi. Me qëllim që transmetuesi publik ti shërbejë të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit për cilësinë që meritojnë”, u shpreh Kreu i Këshillit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme