Demo në Kuvend: Janë pezulluar 9 efektivë policie pas protestave, 50 raste nën hetim administrativ

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka mbrojtur në Kuvend aktin normativ për tubimet, duke argumentuar se ndërhyrja ligjore ishte e nevojshme për shkak të situatës së krijuar gjatë protestave dhe sulmeve ndaj institucioneve shtetërore dhe private në Tiranë. Gjatë diskutimeve në Kuvend, Demo deklaroi se në momentin kur akti normativ u miratua, Policia e Shtetit, bizneset private dhe disa institucione të rëndësishme, përfshirë Gjykatën e Lartë, Gjykatën e Apelit dhe Bankën e Shqipërisë, ishin përballur me sulme që ai i cilësoi barbare.
Sipas ministrit, dhuna ndaj institucioneve dhe sistemit juridik përbën një situatë jashtë normalitetit dhe kërkon reagimin e shtetit për garantimin e rendit kushtetues. Ministri pranoi se gjatë protestave ka pasur shoqërime të personave të përfshirë në akte dhune, ndërsa theksoi se Policia e Shtetit ka ndërhyrë për ruajtjen e rendit dhe zbatimin e ligjit. Ai nënvizoi se ndërhyrjet duhet të jenë gjithmonë proporcionale.
“Në momentin që akti normativ ka dalë, institucionet shtetërore, Policia e Shtetit, bizneset private, institucionet e pavarura, Gjykata e Lartë, Gjykata e Apelit, BSH, kanë qenë në një sulm barbar dhe nëse kjo është jo një situatë emergjente, unë s’e di se çfarë duhet të ndodhë në Tiranë për të kuptuar se dhuna që ushtrohet ndaj sistemit juridik është jashtë normalitetit. Patjetër që ka pasur raste kur persona që kanë kryer akte dhune janë shoqëruar, patjetër që ka pasur reagim nga forcat e Policisë për të ruajtur rendin kushtetues, për të zbatuar ligjin, sepse ajo është detyrë e shtetit. Kur ka shkelje të ligjit, duhet të veprojë në proporcionalitet”, u shpreh ministri.
Gjatë fjalës së tij, Demo bëri të ditur se pas protestave janë pezulluar nëntë punonjës policie, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) po trajton 50 raste në kuadër të hetimeve administrative për veprimet e efektivëve. Ai theksoi se qëndrimi i tij si ministër ka qenë që Policia e Shtetit të zbatojë ligjin, por pa tejkaluar kufijtë e proporcionalitetit në përdorimin e forcës.
“Ju garantoj se qëndrimi im si ministër i Brendshëm ka qenë konstant që në ditën e parë, që Policia e Shtetit duhet të zbatojë ligjin, masa proporcionale në reagim dhe në ato raste kur ka pasur tejkalim të proporcionalitetit, ne kemi marrë masat e duhura”, deklaroi Demo.
Më tej, ai bëri publike edhe masat e marra ndaj punonjësve të policisë. Ministri u ndal te e drejta për protestë, duke theksuar se ajo duhet të garantohet për çdo qytetar, për sa kohë ushtrohet në mënyrë paqësore.
“Janë pezulluar 9 punonjës policie gjatë protestave, Agjencia, për sa i përket kontrollit mbi Policinë e Shtetit, ka 50 raste që janë duke u hetuar nga pikëpamja administrative. Të mos harrojmë që Policia e Shtetit dhe AMP po bashkëpunojnë me Prokurorinë për rastet që janë regjistruar në Prokurori për aktet e dhunës. Kjo është përgjegjësia ime politike si ministër. Ligji duhet të zbatohet nga të gjithë. Kur flasim për të drejtën për të protestuar, detyra e Policisë së Shtetit është për të garantuar të drejtën e çdo qytetari për të protestuar paqësisht. Nëse biem dakord për këtë, qytetarët kanë të drejtën për të protestuar për çdo gjë”, theksoi Demo.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




