Karoglan para derbit me Dinamon: Partizani ka më shumë nevojë për pikë, inferiorë ndaj askujt

Mislav Karoglan, trajneri i Partizanit, doli sot në konferencë shtypi, ku foli për ndeshjen e nesërme kundër Dinamos, e vlefshme për javën e 13-të të Abissnet Superiore, që transmetohet në RTSH.
Trajneri kroat i të kuqve theksoi mes të tjerash se është e çuditshme që skuadra luan mirë dhe nuk shënon. Ai tha se kundërshtari i radhës ka kualitet dhe trajner të mirë, por Partizani nuk është inferior ndaj askujt.
Derbi ndaj Dinamo City, si e prisni këtë përballje?
Fillimisht kemi analizuar ndeshjen që luajtëm ndaj Vllaznisë dhe kemi parë shumë gjëra pozitive. Fatkeqësisht, rezultati nuk ishte pozitiv. Tashmë do të përballemi me Dinamon, një skuadër mjaft e mirë taktikisht, me një trajner shumë të mirë. Ata kanë mjaft kualitet, pasi i kam ndjekur edhe në kupat e Europës. Tashmë edhe ata janë në krizë rezultatesh njësoj si ne, por do të thosha se ne kemi më shumë nevojë për pikë se ata.
Çfarë mund të prisni nga skuadra në vazhdim?
Eshtë disi e çuditshme që ne luajmë mire, por nuk arrijmë të shënojmë. Ky është mesazhi që kam për skuadrën time: të shfrytëzojmë në maksimum mundësitë që na jepen, mos t’i lëmë të na ikin. Tashmë sërish kemi disa dëmtime dhe do të më duhet të shoh si do t’i përshtatemi kësaj ndeshje. Megjithatë, besoj se ne në çdo ndeshje që luajmë kemi shanset tona për të fituar.
Skuadra ka nevojë për përforcime për të qenë kompetitive?
Të jem i sinqertë, na nevojiten në një ose dy pozicione. Ne kemi kaq shumë lojtarë të mirë, por ndonjëherë dy lojtarë të mirë e bëjnë njëri-tjetrin më të mirë. Në merkaton e dimrit fokusi im do të jetë të sjell jo lojtarë me kualitet më të mire, por me kualitete të ndryshme. I them shpesh ekipit që kemi shumë kualitet dhe na duhet pak vetëbesim që disa prej lojtarëve të shpërthejnë.
Do t’u kënaqte edhe një barazim ndaj Dinamo City?
Nuk më duket logjike që të luaj përballë një skuadrë për të marrë një pikë. Ne do të luajmë për të fituar dhe do të shohim çfarë do të na rezërvojë ndeshja. Në ndeshjet me Elbasanin dhe Vllazninë do të dëshiroja të fitoja, nuk do të kënaqesha të merrnim një pikë.
Keni një mesazh për skuadrën në prag të sfidës ndaj Dinamo City?
Mesazhi gjithmonë është i njëjtë, të kenë disiplinë taktike. Në fazën sulmuese të jenë në lartësinë e duhur. Prej tyre kërkoj që të mos ndihen inferiorë ndaj askujt, por në të njëjtën kohë të respektojnë në tërësi edhe Dinamon.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




