Zelensky kritikon Trumpin për afrimin me Putinin: Ai është agresor dhe vrasës, nuk mund të jetë mik

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj qëndrimit të Donald Trumpit në raport me Vladimir Putinin, duke e cilësuar si “të çuditshme” miqësinë mes dy liderëve. Zelensky kritikoi gjithashtu vonesat në furnizimin me raketa mbrojtëse amerikane, duke paralajmëruar se mungesa e tyre po kushton jetë njerëzish në Ukrainë. (Foto: BBC)
“Është e çuditshme. Ai është agresor dhe vrasës. Ai nuk mund të jetë mik”, deklaroi Zelensky në një intervistë për BBC, duke e krahasuar një marrëdhënie të tillë me miqësinë me Adolf Hitlerin gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Presidenti ukrainas kritikoi gjithashtu mënyrën se si po zhvillohen përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, duke thënë se Uashingtoni nuk po ushtron presion të mjaftueshëm ndaj Moskës për të arritur një marrëveshje paqeje.
Sipas tij, raundi i fundit i negociatave të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Abu Dhabi nuk solli përparim të dukshëm, ndërsa mbetet e paqartë edhe përfshirja e përfaqësuesve evropianë në bisedimet e ardhshme.
“Kur përpiqesh të jesh shumë neutral me agresorin, do të thotë se mbështet viktimën dhe agresorin njëkohësisht. Kjo nuk është e drejtë”, u shpreh Zelensky, duke i kërkuar SHBA-së të përdorë ndikimin e saj për të ushtruar më shumë presion ndaj Rusisë.
Nga ana tjetër, Trump ka deklaruar se synimi i tij është ndalimi i vrasjeve dhe arritja e një marrëveshjeje, duke theksuar se armiqësia mes Zelenskyt dhe Putinit përbën një nga pengesat kryesore në negociata.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga presidenti ukrainas lidhet me mbrojtjen ajrore të vendit. Ai tha se Ukraina ka përmirësuar ndjeshëm aftësinë për të neutralizuar dronët rusë, por përballet me një mungesë shumë të madhe të raketave interceptuese kundër raketave balistike.
“Deficiti i këtyre raketave është jeta e njerëzve”, deklaroi ai.
Ai ngriti gjithashtu shqetësime për kufizimet e shërbimeve satelitore Starlink dhe Starshield në territoret e pushtuara të Ukrainës, duke thënë se autoritetet ukrainase nuk kanë marrë ende një përgjigje të qartë se kush është përgjegjës për këto vendime.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




