Tirana-Skënderbeu në RTSH, Klafuriç: Nuk jam i kënaqur me lojën, rëndësi ka fitorja

Trajneri i Tiranës, Dean Klafuriç ka folur për RTSH pas fitores 3-2 ndaj Skënderbeut në sfidën që hapi javën e 13-të të kampionatit Abissnet Superiore. Tekniku i bardhebluve nuk është shumë i kënaqur me lojën e skuadrës, por e gëzon fakti që mori 3 pikët në këtë përballje.
“Nuk jam i kënaqur me mënyrën se si luajtëm sot, por gjëja e rëndësishme është që fituam ndeshjen. Për mua, ne kemi luajtur disa ndeshje më mirë se sot dhe nuk kemi marrë pikë, ndërsa sot ishte e kundërta. Ky është futbolli. Por edhe në këtë ndeshje mendoj se ishim ekipi më i mirë, pasi ishim 3-0. Gjithashtu, kur Skënderbeu rrezikoi, ne patëm raste të mira për ta mbyllur përfundimisht ndeshjen.
Fitorja ishte shumë e rëndësishme për ne, sidomos në atë moment. Fillimisht, Skënderbeu është një ekip shumë i mirë, kanë qenë në formë të mirë në ndeshjet e fundit. Ata erdhën me vetëbesim. Ne ishim 3-0 dhe pas asaj i lejuam që të besonin, të kishin besim se mund të ndryshonin ndeshjen.
Sa i përket fazës mbrojtëse, nuk luhet vetëm nga linja e fundit. Në futbollin e sotëm duhet të luajmë këtë lloj loje me të gjithë. Kemi lojtarë me cilësi shumë të mira sulmuese, por nuk janë aq të mirë në fazën mbrojtëse. Kemi ndërmarrë rreziqe, shënojmë shumë, por edhe pësojmë shumë. Sot kemi bërë disa gabime”, ka thënë mes të tjerash Klafuriç.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




