Kategoria e Parë në RTSH/ Pogradeci, fitore mes tensionit

Kategoria e Parë | 15 minuta më parë

Pogradeci u ngjit në krye të renditjes në kampionatin e Kategorisë së Parë, pas fitores 3-0 kundër Ilirisë, ndeshje që hapi javën e 12-të. Ishte një ndeshje me tension, e mbyllur me dy kartonë të kuq për Ilirinë, një në fushë, për kapitenin Santiago Selmani, dhe një në stol, për trajnerin Dritan Smajli.

Lufta sportive doli në plan të dytë në minutën e 27-të, pas një përplasjeje midis Shanajt të Pogradecit dhe Selmanit. Ky i fundit u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari Dyrmishi, për kafshim të kundërshtarit, pretendim që u hodh poshtë nga skuadra mike, e cila kërcënoi me braktisje të fushës. Trajneri Smajli u përpoq të qetësonte situatën, megjithatë edhe ai vetë u ndëshkua me karton të kuq për hyrje në fushë.

Pas rinisjes së lojës, vendasit përfituan nga epërsia numerike për të gjetur golin e parë, me Kasmollarin, në minutën e 43-të. Në pjesën e dytë, Chinwendu shënoi golin e dytë në minutën e 70-të, si dhe të tretin, në minutën e dytë shtesë, duke i dhënë fitoren 3-0 skuadrës së tij.

Pogradeci kapërcen Ilirinë, por edhe Besën, e cila ka tani një ndeshje më pak. Kryesuesit ishin miq në Vlorë, për të luajtur kundër Flamurtarit, por ndeshja u anulua për shkak të reshjeve të shumta në qytetin bregdetar. Pas disa provave me topin në terrenin e stadiumit Flamurtari, ndeshja u shty për një datë që ende nuk është vendosur.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme