Irani: Mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së nuk mund të kërkojë inspektime pa dënuar sulmet ndaj centraleve tona

Botë | 23 minuta më parë

Agjencia mbikëqyrëse bërthamore e Kombeve të Bashkuara nuk mund të kërkojë inspektime në objektet bërthamore iraniane nën kërcënim apo sulm, ndërkohë që refuzon të dënojë goditjet ushtarake kundër tyre. Ky ka qenë paralajmërimi i drejtuar nga kreu i programit bërthamor të Iranit, Mohammad Eslami, sipas raportimeve të mediave shtetërore iraniane.

Duke komentuar situatën e krijuar pas sulmeve izraelite mbi objektin bërthamor të Isfahanit, pamjet e pasojave të të cilave u publikuan nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) më 21 qershor 2025, Eslami theksoi se deri më tani të gjitha impiantet bërthamore të Iranit kanë funksionuar nën mbikëqyrjen e rregullt të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).

Zyrtari i lartë iranian sqaroi gjithashtu arsyet e fortifikimit të infrastrukturës bërthamore të vendit, duke deklaruar se ndërtimi i objekteve nëntokësore është bërë pikërisht për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme për sulme ushtarake nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. Sipas tij, institucionet ndërkombëtare nuk mund të mbajnë një qëndrim të njëanshëm duke ushtruar presion mbi Teheranin për verifikime në terren, pa reaguar fillimisht ndaj cenimit të sigurisë së këtyre objekteve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme