Zgjedhjet në Spanjë, Partia Popullore shpall fitoren, blloku i djathtë me Vox drejt shumicës parlamentare

Partia Popullore (PP) e qendrës së djathtë ka shpallur fitoren në zgjedhjet e përgjithshme në Spanjë, teksa numërimi i votave e vendos bllokun e djathtë në rrugën e duhur për të siguruar shumicën parlamentare. Përmes një mesazhi zyrtar në platformën X, forca konservatore deklaroi prerazi se “PP do të fitojë zgjedhjet dhe Alberto Núñez Feijóo do të jetë kryeministër i Spanjës”.
Sipas të dhënave paraprake të numërimit, me mbi gjysmën e votave të numëruara, ku në kuotën e 62% të votave të numëruara Partia Popullore siguronte 134 vende, Partia Socialiste (PSOE) 117 vende dhe partia e ekstremit të djathtë Vox 50 vende, e djathta e bashkuar (përfshirë dy mandatet e aleatëve rajonalë të UPN-së) arrin në 186 vende. Kjo shifër e kalon me dhjetë mandate pragun prej 176 deputetësh që nevojitet për të formuar një shumicë absolute në parlamentin spanjoll. Jashtë selisë qendrore të PP-së në Madrid, mbështetës të shumtë kanë nisur festimet me flamuj të partisë dhe të Spanjës.
Perspektiva e një koalicioni mes PP-së dhe Vox-it
Ndonëse gjatë fushatës zgjedhore asnjëra prej dy partive nuk ka konfirmuar zyrtarisht një marrëveshje koalicioni, bashkëpunimi mes tyre shihet si skenari më i mundshëm për formimin e qeverisë së re. Gjatë garës, në disa zona zgjedhore kandidatët e njërës parti u tërhoqën në favor të tjetrës për të maksimizuar shanset përballë së majtës, ndërsa PP dhe Vox bashkëqeverisin tashmë në katër rajone të Spanjës.
Më herët këtë muaj, kreu i PP-së, Alberto Núñez Feijóo, kishte paralajmëruar se në rast të negociatave me Vox-in do të vendoste “vija të qarta të kuqe”, duke përmendur si kushte mos-centralizimin e shtetit dhe garantimin e politikave të caktuara për barazinë dhe të drejtat.
Nëse ky koalicion konkretizohet dhe siguron votëbesimin parlamentar, kjo do të shënonte herën e parë që një parti nacionaliste e ekstremit të djathtë merr pjesë në qeverinë kombëtare të Spanjës që prej përfundimit të diktaturës së gjeneralit Francisco Franco në vitin 1975.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




