Zyrtari izraelit: Hamasi po tregohet fleksibël në bisedimet për pengjet, por s’ka asgjë të sigurt

Botë | 2 vite më parë

Një zyrtar izraelit ka deklaruar se Hamasi po tregon njëfarë fleksibiliteti në bisedimet mbi pengjet por nuk ka asgjë të sigurt.

Sipas tij, grupi terrorist e kupton se një marrëveshje do të nënkuptonte armëpushim, por jo përfundimin e luftës, të paktën në fazën e parë, duke ia atribuar fleksibilitetin presionit diplomatik dhe ushtarak dhe izolimit të Hamasit.

“A do të mjaftojë kjo për të çuar në një marrëveshje? Nuk e dimë. Në fund, topi është në fushën e Hamasit”, thotë zyrtari.

Hamasi ka insistuar në të kaluarën se nuk do të pajtohet me asnjë marrëveshje që nuk garanton fundin e luftës, transmetojnë mediat izraelite.

Zyrtarët arabë dhe izraelitë thanë dje se grupi terrorist ka treguar fleksibilitet në lidhje me kushtet e tërheqjes së IDF-së nga Gaza, duke evidentuar se është i përgatitur të lejojë trupat izraelite të qëndrojnë në korridoret kyçe të Filadelfit dhe Netzarimit gjatë fazës së parë të marrëveshjes, pas një kërkese të gjatë për tërheqjen e menjëhershme të tyre nga ato rrugë.

“Nëse Hamasi thotë: “Ejani në një marrëveshje tani”, do të ketë një marrëveshje sot”, thotë zyrtari, duke shtuar se aktualisht ka “biseda të hapura” mes grupeve të punës në Katar.

Ndërkaq, një delegacion izraelit mund të shkojë në Kajro në ditët në vijim.

“Izraeli po punon përmes të dy vendeve ndërmjetësuese, sepse nuk e di se kush do të bëjë thirrjen përfundimtare – udhëheqja e Hamasit jashtë vendit, të cilët kanë banuar në Katar, apo udhëheqja e grupit në Gaza, e cila është më afër Egjiptit. Por pavarësisht shenjave pozitive, marrëveshja mund të dështojë. Ata kanë refuzuar çdo marrëveshje që u është ofruar në këtë fazë”, shprehet zyrtari

Ndërkohë, Izraeli është ende duke punuar në planin e shumëpërfolur që do të shihte një kontraktor privat amerikan të sigurojë ndihmë humanitare për Gazën në një pjesë të vogël të territorit si pilot, për të reduktuar kontrollin e Hamasit mbi ndihmën në Gaza.

“Mund t’ju them se jemi në fazat ku operacioni do të fillojë së shpejti,” thotë zyrtari.

Izraeli gjithashtu ka ulur numrin e kamionëve që shpërndajnë ushqime dhe produkte nga burime private, duke përfshirë biznesmenë, sepse Hamasi ka shumë më tepër gjasa t’i grabisë ato.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme