Lufta kundër duhanpirjes pasive, BE ndalon duhanin dhe cigaret elektronike në hapësira të hapura

Ministrat e Shëndetësisë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, që u mblodhën të martën në Bruksel, ranë dakord për rregulla më të rrepta kundër duhanpirjes, duke mbështetur ndalesat për konsumin e duhanit, cigareve elektronike dhe produkteve të ngjashme në disa mjedise të hapura, si këndet e lojërave për fëmijë, apo edhe ambientet e jashtme të kafeneve.
Ministrat miratuan gjithashtu rekomandimin e Komisionit Evropian që synon të adresojë duhanpirjen pasive.
“Marrëveshja është një hap thelbësor drejt qëllimit tonë për një gjeneratë pa duhan në Evropë dhe është e rëndësishme në mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve tanë nga efektet e dëmshme të duhanpirjes pasive,” u shpreh komisioneri evropian i Shëndetësisë, Oliver Varhelyi.
Rekomandimi kaloi me miratimin e të gjithë ministrave të shëndetësisë, përveç Gjermanisë dhe Greqisë, të cilat abstenuan, çka vuri në dukje ndasitë politike në lidhje me këtë çështje.
Javën e kaluar, ndërkohë, Parlamenti Evropian votoi kundër një teksti të ngjashëm. Lëvizja vjen në një kohë kur BE synon të reduktojë përqindjen e popullsisë duhanpirëse nga 25% që është aktualisht, në 5% deri në vitin 2040, si pjesë e Planit për Luftën kundër Kancerit.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




