OKB miraton rezolutën për Gaza-n, kërkon t’i jepet fund pushtimit izraelit brenda 12 muajve

Botë | 2 vite më parë

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi me shumicë dërrmuese rezolutën që bën thirrje për t’i dhënë fund pushtimit “të paligjshëm” të Izraelit në territoret palestineze brenda 12 muajve.  Rezoluta, e cila u drejtua nga Palestina, dhe që u mbështet nga 50 vende të tjera pjesë e organizatës, u miratua me konsensus dërrmues me votën pro të 124 shteteve anëtare, 14 kundër dhe 43 abstenime. 

Rezoluta, e cila përfshiu edhe vendimet e  Gjykatës Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së, thekson se pushtimi i territoreve palestineze nga Izraeli është i paligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar.

Veç tërheqjes së forcave nga territoret palestineze, në rezolutë kërkohet po ashtu edhe ndalimi i ndërtimit të vendbanimeve të reja, kthimi i tokave dhe pronave të sekuestruara, si dhe mundësinë e kthimit të palestinezëve të zhvendosur.

Rezoluta ripohon se çështja e Palestinës është “përgjegjësi e përhershme e Kombeve të Bashkuara” derisa të zgjidhet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ndërsa thekson nevojën urgjente që Izraeli t’i japë fund okupimit të tij që filloi në vitin 1967.

Duke vënë në dukje se vendbanimet kolone izraelite shkelin gjithashtu ligjin ndërkombëtar, në rezolutë thuhet se populli palestinez ka të drejtën e vetëvendosjes sipas Kartës së OKB-së, ndërkohë që përmes saj i bëhet thirrje, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres që të paraqesë një raport mbi zbatimin e rezolutës brenda tre muajve nga miratimi i saj.

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme