Sulme vdekjeprurëse në Dagestan, shkon në 15 numri i oficerëve të vrarë

Është rritur bilanci i viktimave nga sulmet e mbrëmjes së të dielës në dy qytete në rajonin e Kaukazit verior të Dagestanit të Rusisë. Të paktën 15 oficerë policie dhe një prift janë vrarë nga persona të armatosur të cilët hapën zjarr në një sinagogë, dy kisha ortodokse dhe një postë policie.
“Kjo është një ditë tragjedie për Dagestanin dhe gjithë vendin,” tha Sergei Melikov, guvernator i rajonit të Dagestanit.
Në qytetin e Derbentit, persona të armatosur sulmuan një sinagogë, shtëpia e një komuniteti hebre në rajonin me mbizotërim mysliman. Sulmuesit qëlluan gjithashtu në dy kisha ortodokse aty pranë, duke vrarë një oficer policie dhe një prift.
Zyrtarët thanë se sinagogës së Derbentit, e cila është renditur si një vend i trashëgimisë së UNESCO-s, iu vu zjarri.
Një grup hapi zjarr ndaj policisë në Makhachkala, kryeqyteti i Dagestanit, i vendosur rreth 75 milje në veri përgjatë bregut të Detit Kaspik.
“Ne e kuptojmë se kush qëndron prapa organizimit të sulmeve terroriste dhe çfarë qëllimi ndoqën ata”, tha Melikov, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Gjashtë nga personat e armatosur u qëlluan për vdekje.
24-26 qershori janë shpallur ditë zie në Dagestan, me flamuj të ulur në gjysmë shtizë dhe të gjitha ngjarjet argëtuese të anuluara.
Rajoni i trazuar u godit në vitet 2000 nga një kryengritje islamike e përhapur nga Çeçenia fqinje, me forcat ruse të sigurisë që lëviznin në mënyrë agresive për të luftuar ekstremistët në rajon.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



