Ukraina merr përgjegjësinë për sulmin ndaj anijes luftarake ruse në Libi, Zelensky: Operacion shembullor

Ukraina ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndaj një anijeje luftarake ruse në portin e Bengazit, në Libi. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi se operacioni u realizua me shtatë dronë detarë, duke fundosur korvetën ruse “Merkury”, një prej anijeve më të reja të flotës së Moskës.
Në një deklaratë, Zelensky e cilësoi sulmin si një “operacion shembullor ukrainas” në përgjigje të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Sipas presidentit ukrainas, përveç anijes luftarake, gjatë operacionit u shkatërrua edhe një helikopter luftarak rus i tipit Ka-27.
Ndërkohë, kryeministri ukrainas pretendoi se është goditur edhe një anije e dytë ruse, transportuesi i mallrave “MV Angara”, që dyshohet se përdorej për transportin e armatimeve.
Korveta “Merkury” ndodhej në portin e Bengazit për furnizim me karburant dhe pajisje, përpara se të nisej drejt Rusisë.
Autoritetet e Libisë lindore konfirmuan se në bordin e anijes kishte ndodhur një shpërthim, ndërsa pamjet e publikuara treguan anijen të përfshirë nga flakët dhe tymi.
Ndërkohë, në lidhje me pretendimet që kanë qarkulluar për një përfshirje të mundshme të Shqipërisë në operacion, ka reaguar edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. Ministria i ka cilësuar këto raportime si të pasakta, duke theksuar se Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në sulm dhe se territori shqiptar nuk është përdorur apo vënë në dispozicion për nisjen ose lehtësimin e një operacioni të tillë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



