Koreja e Jugut, protesta të mjekëve kundër shtimit të kuotave të pranimit në universitete

Botë | 3 vite më parë

Më shumë se 1600 mjekë specializantë të spitaleve më të mëdha të Koresë së Jugut, dolën të martën në grevë për të protestuar kundër planit të qeverisë për të pranuar më shumë studentë në shkollat mjekësore. Një ditë më parë, 6400 nga 13 mijë mjekët dhe praktikantët e spitaleve të mëdha i paraqitën ministrisë së shëndetësisë dorëheqjet e tyre. 

Lëvizja u ndërmorrë pavarësisht se qeveria urdhëroi mjekët të qëndronin në krye të detyrës, dhe spitalet bënë të ditur se po ndryshonin datat e ndërhyrjeve kirurgjikale dhe vizitave të pacientëve. 

Kryeministri i vendit iu ka kërkuar mjekëve të mos marrin peng jetët e njerëzve dhe shëndetin e tyre. Ai ka urdhëruar marrjen e masave të emergjencës si telemjekësia, ndërmarrjen e më shumë operacioneve në spitalet publike apo hapjen e klinikave ushtarake. 

Sipas një sondazhi, rreth 76 përqind e koreano-jugorëve mbështesin planin për më shumë student mjekësie, pasi vendi po vuan nga mungesa e mjekëve të pediatrisë, urgjencave si dhe në klinikat jashtë krahinës së selit. 

Në 2022, në Korenë e Jugut ishin 2.6 doktorë për 1 mijë banorë,  shumë më poshtë se mesatarja prej 3.7 doktorë për 1 mijë banorë për vendet e organizatës për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim. 

Por grupet e mjekëve dhe studentëve të mjekësisë thonë se numri i doktorëve është i mjaftueshëm dhe se rritja e  këtij numri do të çojë në procedura të  panevojshme mjekësore dhe do të minojë financat e planit të sigurimit shëndetësor. 

Ata gjithashtu kritikojnë qeverinë se ka dështuar të konsultohet ta dhe se i ka paraqitur si “demonë” para publikut. 

Gazetare Elda Pepa

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme