Ukraina tërhiqet nga Avdiivkas, Putin quajti vendimin e Kievit si fitore të rëndësishme për Rusinë

Rusia pretendon se ka pushtuar qytetin ukrainas Avdivka, pasi Ukraina u tërhoq, por Moska tha se një pjesë e trupave ushtarake ukrainase ishin ende të ngujuar në një fabrikë të epokës sovjetike në atë qytezë. Nuk ka ende asnjë koment nga autoritetet ukrainase për këtë pretendim të Moskës.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ushtria kishte marrë kontrollin e plotë të qytetit lindor, ndërsa presidenti rus duke përgëzuar forcat ushtarake, e quajti fitoren më të madhe të Rusisë që nga pushtimi i qytetit Bakhmut në maj të vitit të kaluar. “Shpreh mirënjohje për të gjithë trupat ushtarake që morën pjesë në betejat për marrjen e kontrollit të Avdivkas”- shkroi Vladimir Putin në një telegram drejtuar komandantit të trupave ushtarake ruse.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se kishin marrë rreth 32 kilometra katrorë territor gjatë operacionit special në qytezën në lindje të Ukrainës, por nuk dha shifra për humbjet ruse, të cilat sipas Ukrainës janë të mëdha.
Presidenti amerikan Xho Bajden kishte paralajmëruar se Avdiivka mund të bjerë në duart e forcave ruse për shkak të mungesës së municioneve pas muajve të tëra kundërshtimi nga ana e republikanëve në Kongres rreth një pakete të re ndihme ushtarake amerikane për Kievin. Në një deklaratë Shtëpia e Bardhë tha se Bajden gjatë një telefonate me Zelenskin, nënvizoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës, ndërsa u shpreh i bindur se Kongresi do ta miratojë paketën e ndihmës ushtarake, duke shtuar se pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara, Kievi mund të humbasë territore të tjera.
Ndërsa, presidenti ukrainas duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih të shtunën tha se lufta ruse në Ukrainë ishte një kërcënim për të gjithë botën, ndaj të gjitha vendet duhet të ngriheshin kundër Rusisë.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




