Francë- Apeli shpall fajtor ish presidentin Sarkozi për financim të paligjshëm të fushatës në 2012

Gjykata franceze e Apelit ka dënuar me 6 muaj burg ish-presidentin Nikolas Sarkozi (Nicolas Sarkozy), i cili u dënua për financim të paligjshëm të fushatës gjatë garës për rizgjedhje në 2012.
Në vitin 2021, një gjykatë më e ulët e kishte dënuar Sarkozi me një vit burg për këtë çështje, por dënimi u pezullua ndërsa ai apeloi. Sot (14 shkurt) gjykata e apelit në Paris tha se ish-presidenti duhet të vuajë vetëm gjashtë muaj burg duke përgjysmuar vendimin e dhënë në 2021, e cila mund t’i kthehet në dënime alternative pa përfunduar pas hekurave.
Avokati i Sarkozisë, Vincent Desry tha se ish-presidenti do të kundërshtonte vendimin e apelit në gjykatën më të lartë të Francës.
“Z. Nicolas Sarkozy është plotësisht i pafajshëm. Ai e ka marrë parasysh këtë vendim dhe ka vendosur të apelojë në Gjykatën e Kasacionit,” tha ai.
Sarkozi fitoi zgjedhjet e vitit 2007 me 53.1% të votave, por ai humbi zgjedhjet e 2012 nga kandidati socialist Francois Hollande.
Në Francë , kandidatët lejohen të shpenzojnë vetëm 22.5 milionë euro (24.1 milionë dollarë) për një fushatë presidenciale. Prokurorët thanë se Sarkozi shpenzoi rreth 43 milionë euro në fushatën e vitit 2012, tejkalimi i të cilave u maskua më pas përmes një sërë faturash fiktive.
Që nga mandati i tij i vetëm midis 2007 dhe 2012, Sarkozi është përballur me një sërë problemesh ligjore. Ai është akuzuar për korrupsion, ryshfet dhe shkelje të financimit të fushatës në një sërë rastesh.
Por pavarësisht nga problemet e tij ligjore, Sarkozi gëzon ndikim dhe popullaritet të konsiderueshëm në të djathtën e politikës franceze. Ai gjithashtu ka mbajtur një marrëdhënie të mirë me presidentin Emanuel Makron (Emmanuel Macron).
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




