Familjet e pengjeve izraelite “zbarkojnë” në Hagë: Hamasi të gjykohet për gjenocid dhe krime lufte

Rreth 100 anëtarë të familjeve të pengjeve izraelitë, përfshirë dy ish-peng, mbërritën në qytetin holandez të Hagës të mërkurën për të paraqitur një ankesë ligjore kundër Hamasit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (IÇ).
Ankesa, e udhëhequr nga Forumi i Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura, kërkon që GJNP të ndjekë penalisht liderët e Hamasit për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit lidhur me vrasjen, rrëmbimin dhe dhunën seksuale të kryer gjatë sulmit terrorist të 7 tetorit.
Kryeprokurori i IÇ-së, Karim Khan tashmë po heton krimet e mundshme të luftës të kryera nga Hamasi dhe Izraeli që nga 7 tetori, por ende nuk ka ngritur asnjë akuzë.
Në bordin e fluturimit 131 të El Al – i emërtuar për numrin e ditëve që pengjet kanë kaluar në robëri – anëtarët e familjes deklaruan për CNN-in se Hamasi duhet të mbajë përgjegjësi për krimet e kryera kundër familjeve të tyre, si dhe se ata do të vazhdojnë të bëjnë presion për të siguruar një marrëveshje me qëllimin lirimin e të afërmve të tyre nga robëria.
“Shpresojmë që prokurori Karim Khan të na ndihmojë për të arritur drejtësinë,” tha Hagit Chen, nëna e Itay Chen, një ushtar izraelit 20-vjeçar i cili është gjithashtu një shtetas amerikan.
“Dua fëmijën të më kthehet në shtëpi. Ne shpresojmë të vihet në vend drejtësia. Bota duhet të na ndihmojë të vendoset drejtësi. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më”, thotë ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




