Dhjetëra mijëra palestinezë ikin në jug të Gazës, OBSH e shqetësuar: Do çojë në mbipopullim

Botë | 3 vite më parë

Dhjetëra mijëra palestinezë janë detyruar të ikin në jug të Rripit të Gazës pas bombardimeve intensive të kryera nga Izraeli në pjesën qendrore të enklavë. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ka shprehur shqetësimin për presionin e shtuar në objektet mjekësore në jug të Rripit dhe rrezikun e  intensifikuar të sëmundjeve infektive.

“Stafi i OBSH-së që dërgonte ndihma humanitare në Spitalin Al-Shifa në veri të enklavës dhe Spitalin Al-Amal në jug pa “dhjetëra mijëra njerëz që iknin nga sulmet e rënda në Khan Younis dhe Zonën e Mesme, në këmbë, hipur mbi gomarë, ose në makina””, thuhet në raportin e organizatës.

Përfaqësuesi i OBSH-së Richard Peeperkorn deklaroi se zhvendosja e njerëzve do çojë në mbipopullim dhe do vështirësojë dërgimin e ndihmave humanitare.

“OBSH është jashtëzakonisht e shqetësuar se kjo zhvendosje e re e njerëzve do të tensionojë më tej objektet shëndetësore në jug, të cilat tashmë po përpiqen të plotësojnë nevojat e jashtëzakonshme të popullsisë. Kjo lëvizje masive e detyruar e njerëzve do të çojë gjithashtu në më shumë mbipopullim, rritje të rrezikut të sëmundjeve infektive dhe do ta bëjë edhe më të vështirë dërgimin e ndihmave humanitare”, tha ai.

OBSH shtoi se aktualisht vetëm 13 nga 36 spitale në Gaza funksionojnë pjesërisht, ndërsa dy funksionojnë me kapacitetin më të ulët të mundshëm. Rreth 21 spitale nuk funksionojnë.

OBSH shprehu shqetësim të madh lidhur me raportet se ata që jetojnë pranë Kompleksit të madh Mjekësor Nasser në Gazën jugore janë urdhëruar të evakuohen.

“Kur aktivitetet ushtarake intensifikohen pranë spitalit, ambulancat, pacientët, stafi dhe OBSH dhe partnerët nuk do të jenë në gjendje të arrijnë kompleksin dhe ky spital kyç do të bëhet shpejt mezi funksional,” tha Peeperkorn. “Ky skenar u dëshmua shumë shpesh në veri. Gaza nuk mund të përballojë të humbasë më spitale. OBSH po punon për të forcuar dhe zgjeruar sistemin ekzistues shëndetësor në vështirësi”, vuri në dukje ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme