Historike/ Kryeministri indian në Athinë për herë të parë pas 40 vitesh

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi viziton këtë të premte Greqinë, në atë që është konsideruar si një vizitë historike, e para në 40 vite.
Modi do të takohet me presidenten greke Katerina Sakellaropoulou dhe homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis, për të vënë në rrugën e përmirësimit dhe të bashkëpunimit strategjik marrëdhëniet e Greqisë me Indinë.
Vizita është historike, pasi është vizita e parë e një kryeministri indian në Greqi në 40 vitet e fundit, që nga viti 1983, kur Indira Gandhi vizitoi Greqinë.
Vizita e Modit në Greqi është një moment historik, i cili sinjalizon vullnetin e të dyja palëve për të rifilluar, për të zgjeruar marrëdhëniet greko-indiane, por edhe për të konsoliduar bashkëpunimin ekonomik në nivelin më të lartë.
Sipas mediave, “Greqia mund të bëhet porta gjeopolitike, por edhe ekonomike e Indisë drejt Bashkimit Evropian , pasi, tashmë pas Brexit, Nju Delhi po kërkon rrugë alternative për në Evropë, me pozicionin e Greqisë në udhëkryq të tre kontinenteve, një urë ideale për në Evropë, por edhe në Mesdheun Lindor”.
Greqia dhe India janë dy fuqi detare, bashkëpunimi i të cilave është forcuar vitet e fundit, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe kulturës.
Siç njofton pallati Maximos, synimi i Athinës është rifillimi i kontakteve në nivelin më të lartë, gjë që mund të çojë në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe kontakteve mes bizneseve greke dhe indiane. Kjo mund të përkthehet, në një prani më të madhe të grupeve indiane në Greqi, veçanërisht në sektorët e infrastrukturës (porte, aeroporte), teknologjisë së lartë, burimeve të rinovueshme të energjisë, turizmit, por edhe të forcojë praninë e kompanive greke. në Indi, veçanërisht në sektorët e ushqimit, farmaceutikës, transportit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




