Kritiku i Putin Vladimir Kara-Murza dënohet me 25 vjet burg

Botë | 4 vite më parë

Kritiku i Kremlinit, Vladimir Kara-Murza është dënuar me 25 vjet burg nga një gjykatë në Moskë. 41-vjeçari, i cili mban pasaporta ruse dhe britanike, u shpall fajtor për tradhti dhe akuza të tjera për diskreditimin e ushtrisë ruse në mes të luftës në Ukrainë, raporton BBC.

Kara-Murza kaloi vite si politikan duke kundërshtuar Presidentin Vladimir Putin dhe loboi qeveritë dhe institucionet e huaja për të vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe rusëve për shkelje të supozuara të të drejtave të njeriut.

Dënimi i ashpër duket si një shenjë se në Rusinë e sotme, autoritetet janë të vendosura jo vetëm të mbyllin gojën e kritikëve, por edhe të neutralizojnë çdo gjë ose cilindo që ata besojnë se përfaqëson një kërcënim për sistemin politik.

Kara-Murza luajti një rol kyç në bindjen e qeverive perëndimore për të sanksionuar zyrtarët rusë për abuzime të të drejtave të njeriut dhe korrupsion. Ai u arrestua një vit më parë në Moskë, fillimisht për mosbindje ndaj një oficeri policie. Ndaj tij u ngritën akuza më të rënda sapo ai ishte në paraburgim.

Dënim i egër e ka konsideruar shefi i politikës së jashtme të BE-së, atë të kritikut, ndërsa ka bërë thirrje për lirim të tij dhe të gjithë ata që janë burgosur për akuza të motivuara politikisht.

“Vendimi i sotëm jashtëzakonisht i ashpër i gjykatës tregon qartë edhe një herë keqpërdorimin politik të gjyqësorit për të ushtruar presion ndaj aktivistëve, mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe çdo zëri që kundërshton luftën e paligjshme të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, tha Borrell.

Shefi i të drejtave të njeriut i Kombeve të Bashkuara i bëri thirrje gjithashtu Moskës që të lirojë Kara-Murza.

“Askujt nuk duhet t’i hiqet liria për ushtrimin e të drejtave të njeriut dhe u bëj thirrje autoriteteve ruse ta lirojnë atë pa vonesë,” tha Volker Turk, komisioneri i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut. Dënimi ishte “një goditje tjetër për sundimin e ligjit dhe hapësirën qytetare në Federatën Ruse”, tha ai.

Rusia ka miratuar një ligj që kriminalizon përhapjen e “informacionit të rremë” për ushtrinë e saj, menjëherë pasi ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, më 24 shkurt të vitit 2022.

Kara-Murza është i fundit në mesin e disa aktivistëve të opozitës, reporterëve dhe të tjerëve që janë arrestuar dhe ndjekur penalisht në bazë të këtij ligji.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme