Takimi me liderin kinez, Putin: Plani i paqes i propozuar nga Kina mund të jetë baza për t’i dhënë fund luftës

Plani i paqes i Kinës për Ukrainën mund të përdoret si bazë për t’i dhënë fund luftës, ka thënë lideri rus, Vladimir Putin. Udhëheqësi rus u takua me presidentin kinez Xi Jinping të martën (20 mars) në Moskë për të diskutuar mbi konfliktin në Ukrainë dhe marrëdhëniet midis dy vendeve.
Sipas BBC, Putin ka deklaruar se plani i paqes mund të paraqitet “kur Perëndimi dhe Kievi të jenë gati”.
Por plani i Kinës, i publikuar muajin e kaluar, nuk kërkon që Rusia të largojë trupat nga Ukraina. Plani 12-pikësh bën thirrje për bisedime paqeje dhe respekt për sovranitetin kombëtar. Ai dënon gjithashtu “sanksionet e njëanshme”, në atë që shihet si një kritikë ndaj aleatëve të Ukrainës në Perëndim.
Ukraina ka insistuar që Rusia të tërhiqet nga territori i saj si kusht për çdo bisedim, ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se thirrja për një armëpushim përpara se Rusia të tërhiqej “do të mbështeste efektivisht ratifikimin e pushtimit rus”.
“Shumë dispozita të planit të paqes kineze mund të merren si bazë për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, në momentin që Perëndimi dhe Kievi të janë gati për të“, tha Putin në një konferencë të përbashkët shtypi pas përfundimit të bisedimeve me Xi në Moskë.
Duke qëndruar përkrah udhëheqësit rus, Xi tha se qeveria e tij ishte në favor të paqes dhe dialogut dhe se Kina ishte në “anën e duhur të historisë”. Ai përsëri pretendoi se Kina kishte një “pozicion të paanshëm” për konfliktin në Ukrainë.
Ka shqetësime në rritje në Perëndim se Kina mund të sigurojë mbështetje ushtarake për Rusinë.
“Ne nuk kemi parë asnjë provë që Kina po i dërgon Rusisë armë vdekjeprurëse, por kemi parë disa shenja se kjo ka qenë një kërkesë nga Rusia dhe se kjo është një çështje që po konsiderohet në Pekin nga autoritetet kineze“, tha Jens Stoltenberg në Bruksel.
Të martën në mëngjes, zotit Xi iu prit me bujë kur mbërriti në Kremlin për një ditë të dytë bisede.
Vizita e tij në Rusi erdhi disa ditë pasi Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi një urdhër arresti për Presidentin Putin për akuzat për krime lufte.
Vizita shtetërore u pasqyrua nga vizita e papritur e kryeministrit japonez Fumio Kishida në Kiev – duke e bërë atë udhëheqësin e parë të Japonisë që viziton një vend në konflikt që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në kryeqytetin ukrainas, zoti Kishida i premtoi mbështetje të palëkundur presidentit të Ukrainës duke folur për rindërtimin dhe ndihmën humanitare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




