Xi Jinping dhe Putin diskutojnë për planin e Pekinit për luftën në Ukrainë

Në një kohë që perëndimi dhe shumë shtet të tjera në botë kanë rritur kritikat dhe sanksionet ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, Putin ka marrë mbështetjen nga homologu I tij kinez Xi Jiping. “Zgjedhja strategjike e Pekinit është të forcojë dhe zhvillojë marrëdhëniet me Moskën dhe ky kurs mbetet i pandryshuar”, tha presidenti kinez Xi Jinping gjatë një takimi me homologun e tij rus Vladimir Putin në Moskë.
Udhëheqësi kinez, i cili mbërriti të hënën në Moskë për një vizitë tre-ditore në Rusi, ku u takua me Putinin, më pas u ulën në një në darkë ku bisedimet zgjatën për katër orë e gjysmë. Krerët e dy shteteve diskutuan bashkëpunimin dypalësh dhe situatën në Ukrainë, si dhe planin e propozuar nga Pekini për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë. Këtë të martë presidenti kinez Xi Jinping u takua me kryeministrin rus Mikhail Mishustin.
Gjatë takimit të tyre, Xi i përshkroi Pekinin dhe Moskën si “fuqi të mëdha fqinje” dhe “partnerë strategjikë”, duke thënë se Kina do t’i “priorizonte” lidhjet me Rusinë. Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, do zhvillojnë ditën e dytë të bisedimeve në Moskë, ku lideri kinez po zhvillon vizitën e parë në katër vjet në mes të izolimit ndërkombëtar në rritje të Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Putin dhe Xi e quajtën njëri-tjetrin “mik të dashur” teksa u takuan në Kremlin në ditën e parë të takimeve më 20 mars. Të dy liderët bënë deklarata të shkurta në hyrje të takimit. Xi do të qëndrojë në Rusi për tri ditë dhe dy shtetet thanë se kanë mundësi për të thelluar “partneritetin pa kufi” dhe liderët dënuan atë që e quajtën përpjekje të Uashingtonit për t’i izoluar dhe për të ndalur zhvillimin e tyre. Takimet me Xi-në paraqesin një mundësi të rrallë për Putinin për të pretenduar se Rusia është krejtësisht e ndarë nga pjesa tjetër e botës, pavarësisht se ai është subjekt i një urdhërarrestimi nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime të pretenduara të luftës.
“Ne shpresojmë se partneriteti strategjik midis Kinës dhe Rusisë nga njëra anë do të mbështesë drejtësinë ndërkombëtare, dhe nga ana tjetër do të promovojë prosperitetin e përbashkët dhe zhvillimin e shteteve tona”, tha Xi në nisje të takimit me Putinin.
Zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, u tha gazetarëve se Xi dhe Putin duket se janë “në një lloj martese me interes” sesa në një martesë dashurie. “Këto dy shtete për një kohë të gjatë kanë kritikuar lidershipin amerikan në mbarë botën”, tha ai. Kirby tha se Shtëpia e Bardhë vazhdon të jetë e shqetësuar me mundësinë që Kina mund t’i ofrojë Rusisë armë vdekjeprurëse.
Gazetare: Teuta Shamku
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




