Kryeministri i Japonisë udhëton sot drejt Kievit, do takohet me presidentin Zelensky

Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida do të udhëtojë këtë të martë (21 mars) drejt Kievit, ku do të takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Lajmi është bërë me dije nga Ministria e Jashtme e Japonisë, e cila bën me dije se në këtë vizitë, Kishida do të refuzojë agresionin rus në Ukrainë dhe do të rikonfirmojë vendosmërinë e tij për të mbështetur rendin ndërkombëtar.
“Kryeministri Kishida do të refuzojë me vendosmëri agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe ndryshimin e njëanshëm të status quo-së me forcë dhe do të rikonfirmojë vendosmërinë e tij për të mbështetur rendin ndërkombëtar të bazuar në sundimin e ligjit”, thuhet në deklaratën e ministrisë, raporton CNN.
Udhëtimi i papritur i Kishida në Kiev, vjen në një moment ku udhëheqësi kinez Xi Jinping po zhvillon bisedime me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë.
Kjo është hera e dytë që kryeministër japonez viziton një vend apo rajon me luftime të vazhdueshme që nga Lufta e Dytë Botërore. Kjo do të jetë gjithashtu vizita e parë në Ukrainë nga një anëtar aziatik i grupit G7 dhe e para nga një aleat i Shteteve të Bashkuara në rajon.
Vizitat e dyfishta nga Kishida dhe Xi nënvizojnë ndarjet e thella në Azinë verilindore drejt luftës në Ukrainë, me Japoninë që premton ndihmë të konsiderueshme për Kievin, ndërsa Kina mbetet një zë i vetmuar që mbështet Putin gjithnjë e më të izoluar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




