Lufta në Ukrainë, themeluesi i Wagner: Kemi rrethuar qytetin e Bakhmut-it. Kievi urdhëron largimin e banorëve

Botë | 4 vite më parë

Njësi të kompanisë private ushtarake Wagner kanë rrethuar praktikisht qytetin ukrainas, Bakhmutin. Themeluesi i grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, u shpreh në një video të publikuar këtë të premte(3 mars) se Bakhmuti ishte praktisht i rrethuar nga forcat e tij dhe se Kievi kishte vetëm një rrugë të hapur atje për largimin e banorëve.

Për muaj të tërë, njerëzit e Prigozhin, janë angazhuar në luftime në krah të Moskës për të marrë Bakhmutin, të cilin kreu i mercenarëve e quan me emrin Artyomovsk, të kohës së Bashkimit Sovjetik, pasi marrja nën kontroll e atij qyteti hap rrugën drejt kapjes së qyteteve të tjera më të mëdha si Kramatorsk dhe Sloviansk.

I veshur me uniformë ushtarake, në video, Prigozhin i bëri thirrje presidentit ukrainas Volodimir Zelensky të tërhiqte forcat e tij nga qyteti i vogël.

Në video shfaqen tre ukrainas që pretendohet se janë zënë rob, një burrë i moshuar dhe dy djem të rinj, të cilët dukeshin të frikësuar dhe kërkuan që të lejoheshin të shkonin në shtëpi. 

Një ditë më parë, Prigozhin publikoi një tjetër video ku dukeshin luftëtarët e tij që luftonin brenda Bakhmutit. Forcat ruse hodhën në erë gjatë natës një urë të rëndësishme që lidh qytetin e rrethuar të Bakhmutit me fshatin e afërt Khromove. 

/rtsh/ 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme