Hakerat rusë sulm në Itali pas vizitës së Melonit në Kiev, goditen faqet qeveritare, bizneset e bankat

Një grup hakerësh rusë kanë marrë përgjegjësinë për një sulm masiv kibernetik në Itali që ka shënjestruar faqet zyrtare të disa institucioneve dhe kompanive italiane. Grupi, i njohur si “NoName”, tha se filloi ofensivën në përgjigje të vizitës së kryeministres italiane, Giorgia Meloni në Ukrainë. Sipas “La Republica”, janë sulmuar faqet zyrtare të Karabinierëve, Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe ato të kompanive si “Tim”, banka “Bper” dhe shoqëria e shërbimeve “A2a”. Sipas ekspertëve italianë, sulmi është shumë i ndërlikuar për t’u menaxhuar.
Sulmet quhen “Ddos” dhe arrihet arrihet përmes një ofensive të koordinuar prej dhjetëra mijëra përpjekjesh për të hyrë njëkohësisht në faqe, duke shkaktuar kolapsin e serverëve të tyre.

“Italia do t’i sigurojë Ukrainës paketën e gjashtë të ndihmës ushtarake, e cila do të përfshijë tre lloje të sistemeve të mbrojtjes ajrore”, shkruan hakerët në kanalin Telegram. Të gjitha mesazhet u ndanë me një imazh të një ariu, një referencë e qartë për Rusinë, duke i dhënë një puthje flamurit italian. Mesazhi përfundon me një flamur rus të ndjekur nga një fraza: “Fitore për ne”.
“NoName” është ndër grupet më aktive ruse në luftën kibernetike krahas konfliktit kinetik në Ukrainë. Grupi u krijua një vit më parë, në mars 2022, menjëherë pas hyrjes së tankeve ruse në territorin e Kievit. Ai u bë menjëherë protagonist i një sërë sulmesh kundër subjekteve qeveritare dhe infrastrukturës kritike në Ukrainë dhe në vendet që e mbështesin atë. Në veçanti Polonia, Lituania, Letonia, Estonia, Sllovakia, Norvegjia dhe Finlanda.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




